Shkurt.ch

Ka jetuar në tre shekuj

Është burri i tretë që ndonjëherë ka kaluar moshën 115 vjeçare, njofton ekipi i librit të Ginisit. Kjo, pasi shumica e madhe e njerëzve që kanë kaluar këtë moshë deri më tash kanë qenë të gjinisë femërore

 

I ka mbijetuar pesë perandorë japonezë, gjashtë monarkë britanikë dhe 20 presidentë amerikanë. Ai quhet Jiroumen Kimura dhe ka 115 vjet e 253 ditë. Ai është njeriu aktualisht më i vjetër në botë por jo vetëm kaq: Kimura, së paku zyrtarisht është burri që ka jetuar më së gjati ndonjëherë mbi këtë tokë!

Që prej dy javësh, pas vdekjes së amerikanes Manfredini, Kimura është edhe njeriu më i vjetër që jeton në botë.

Ky ish punëtor i postës ka lindur më 19 prill 1897. Është burri i tretë që në përgjithësi ndonjëherë ka kaluar moshën 115 vjeçare, njofton ekipi i librit të Ginisit. Të kujtojmë: shumica e madhe e njerëzve që kanë kaluar këtë moshë deri më tash kanë qenë të gjinisë femërore!

Formula e moshës së shtyrë që ka arritur, sipas tij përmblidhet në këto fjalë: “Ha pak, jeto gjatë”.

Para Kimuras, burri që ka jetuar më së shumti dhe ka mundur ta dokumentojë këtë ka qenë danezi Christian Mortensen. Ai pati vdekur në vitin 1998, ditën kur kishte mbushur 115 vjet dhe 252 ditë, gjegjësisht vetëm një ditë më pak se japonezi Kimura.

Në jetën e tij të gjatë, Kimura ka kaluar nëpër tre shekuj. Ai ka përjetuar kohën e fillimit të industrisë automobilistike, zbulimin e radios e të televizionit ashtu si dhe të internetit. Rekordmeni japonez ka 14 nipër, 25 stërnipër dhe 13 stër-stërnipër. Ka punuar 38 vjet në postë ndërsa derisa i ka mbushur 90 vjet i është përkushtuar bujqësisë.