Lajme

Joe Lang kundër dorëzimit të “Çmimit Diaspora” nga Qeveria Kosovare

Lang: “Përse ky çmim nuk jepet – në mënyrë plotësisht të pavarur nga Qeveria Kosovare – nga një përfaqësuese ose përfaqësues i diasporës?”

Në një shkrim të botuar të dielën që shkoi, në gazetën NZZ am Sonntag, që bënte fjalë për dhënien e “Çmimit të Diasporës” presidentes dhe ministres Micheline Calmy Rey, citohet edhe politikani nga Partia e Gjelbër, Joe Lang.

Deputeti nacional Lang citohet të ketë kundërshtuar ashpër faktin se zonja Rey po e merr këtë çmim nga ministri i një qeverie, të cilën e ngarkojnë akuza serioze. Sipas tij, madje “pranimi i një çmimi të tillë nga ana e zonjës Rey është `goditje prapa shpine` për senatorin zviceran Dick Marty…”

Albinfo.ch ka kontaktuar deputetin Josef Lang, të cilin e ka lutur që të sqarojë kontekstin e kritikave të tij ndaj ministres dhe presidentes së Zvicrës, Calmy Rey.

Albinfo.ch: Z. Lang, a e veni në pikëpyetje, me deklarimin tuaj, synimin e diasporës kosovare në Zvicër që përmes çmimit të përmendur, të shprehë mirënjohjen e saj ndaj Zvicrës dhe zonjës Calmy-Rey?

J. Lang: Me çmimin unë nuk kam asnjë problem. Unë nuk e bëj përgjegjëse diasporën për atë çfarë ka ndodhur dhe po ndodh në Kosovë. Por unë jam kundër që ky çmim të merret nga duart e një qeverie, mbi të cilën ngarkon një dyshim serioz. Përse “Çmimi Diaspora” nuk jepet – në mënyrë plotësisht të pavarur nga qeveria kosovare – nga një përfaqësuese ose përfaqësues i diasporës?

Albinfo.ch: Përse, sipas jush, z. Marty do të duhej të ndjehej “i sulmuar pas shpine”, me faktin që zonja Rey e pranon këtë çmim?

J. Lang: Problemi nuk është pse zonja Calmy-Rey e pranon çmimin. Problemi është se ajo këtë çmim po e merr nga përfaqësuesi i një qeverie, të cilën e ngarkon një dyshim i rëndë. Kjo qeveri dhe qarqet rreth saj nuk janë shprehur me shumë respekt ndaj Dick Marty-t.

Albinfo.ch: Si e shpjegoni lidhjen në mes të akuzave (ende të padëshmuara) kundër kryeministrit të Kosovës dhe çmimit të diasporës? A do të duhej, në këtë kuptim, diaspora kosovare të hiqte dorë nga ndarja e çmimeve të tilla?

J. Lang: Po e përsëris: Problem nuk është as diaspora dhe as çmimi Diaspora. Problem është implikimi, sipas meje, i panevojshëm i Qeverisë së Kosovës. Përse, në sfondin e protestave dhe kritikave nga viti i kaluar, nuk është zgjedhur një rrugë tjetër, e cile nuk do të kontestohej: që “Çmimi Diaspora” të jepej nga vetë diaspora?