Halili+Partner Ingenieure nga Zvicra vlerësohet në Oman me vendin e dytë
Pas një gare të fortë ndërkombëtare në kuadër të Konkursit të Dizajnit 2025 të Komunës së Maskatit, kompania e inxhinierisë së ndërtimit nga Zvicra, Halili+Partner Ingenieure, e udhëhequr nga Besnik Halili, ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm duke u renditur në vendin e dytë mes pjesëmarrësve më të mirë në botë
E martë, 8 Korrik 2025 - 17:50albinfo.ch
Komuna e Maskatit ka shpallur fituesit e Konkursit të Dizajnit 2025 , një iniciativë globale që synon të rimendojë hapësirat urbane duke nderuar identitetin oman. Këto mendje krijuese përfaqësojnë një vizion të ri për kryeqytetin, ku inovacioni bashkëjeton me traditën, raporton albinfo.ch.
Një vizion largpamës për zhvillimin urban në kryeqytetin Maskat u prezantua përmes Konkursit të Dizajnit 2025 të Komunës së Maskatit.
Ndër pjesëmarrësit më të spikatur të këtij konkursi ishte edhe kompania e inxhinierisë së ndërtimit nga Zvicra, Halili+Partner Ingenieure, e udhëhequr nga Bensik Halili, e cila arriti të sigurojë vendin e dytë në këtë garë ndërkombëtare, duke dëshmuar nivel të lartë profesionalizmi dhe kreativiteti.
Pas përzgjedhjes fillestare në Top 20, kompania kaloi në Top 10 dhe më pas në Top 5 finalistët, të cilët prezantuan dje projektet e tyre para jurisë ndërkombëtare në Maskat.
Sot, juria shpalli tre fituesit kryesorë, duke vlerësuar zgjidhjet më të mira për zhvillimin e ardhshëm urban të qytetit, me fokus në identitetin oman, dizajnin bashkëkohor dhe qëndrueshmërinë.
Në një deklaratë ekskluzive nga Omani, Besnik Halili u shpreh: “Ishte një nder i madh të përfaqësojmë Zvicrën në këtë konkurs të nivelit të lartë. Fakti që arritëm në Top 5 dhe më pas siguruam vendin e dytë, për ne është një konfirmim i përkushtimit dhe vizionit tonë për një arkitekturë që ndërthur teknologjinë, kulturën dhe respektin për vendin ku ndërtohet. Ky është vetëm fillimi.”
Besniku është inxhinier i ndërtimit dhe kompania e tij, Halili+Partner Ingenieure, është e specializuar në fushën sizmike. Konstruksionet që ai projekton garantojnë një qëndrueshmëri të lartë të objekteve në rast të aktivitetit sizmik. Studimet e tij rigoroze, veçanërisht në fushën sizmike, të përfunduara me master në Universitetin e Maqedonisë “Kiril dhe Metodi” në Shkup, një vend i njohur për rrezikshmërinë e lartë të tërmeteve, i ka avancuar me specializim në Universitetin e Lucernit në Zvicër, raporton albinfo.ch.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve të Konkursit të Dizajnit 2025 të Komunës së Maskatit është zhvilluar të martën, nën patronazhin e Lartësisë së Tij, Sayyid Dr. Kamil Fahad al Said, Zëvendëssekretar i Përgjithshëm në Zyrën e Zëvendëskryeministrit për Këshillin e Ministrave.
E iniciuar nga Komuna e Maskatit, kjo garë ndërkombëtare synon të vendosë standarde të reja për zhvillimin urban, përmes pasurimit të peizazhit urban të qytetit, ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe ngritjes së profilit të Maskatit si një destinacion global i rëndësishëm.
Ngjarja ka mbledhur një grup të zgjedhur ekspertësh nga juria vlerësuese, si dhe disa CEO të kompanive të mëdha të zhvillimit të pasurive të paluajtshme në Sultanat.
Konkursi i Dizajnit të Komunës së Maskatit shërben si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e ideve vizionare, me pjesëmarrjen e pesë firmave ndërkombëtare të njohura të arkitekturës. Çdo firmë ka prezantuar konceptin e saj për një ndërtesë qytetare me funksione të shumëfishta, që ndërthur identitetin oman me dizajnin bashkëkohor urban global dhe përfshin teknologjitë më të avancuara të qëndrueshmërisë, raporton albinfo.ch.