Lajme

Iftari tradicional bashkon personalitete fetare, institucionale dhe diplomatike në Wil

Të mërkurën mbrëma, më 25 shkurt 2026, Komuniteti Mysliman Shqiptar në Zvicër (KMSHZ) ka shtruar iftarin tradicional në xhaminë e Wilit, ku morën pjesë personalitete të shquara të jetës publike, drejtues të organizatave islame, diplomatë, publicistë, afaristë, imamë dhe drejtues të xhamive shqiptare.

Në mesin e pjesëmarrësve ishin kryetari i KMSHZ-së, Hafiz Mehas Alija, kryetari i FIDSIT, Onder Günesh, si dhe Vigan Berisha, konsull i Republikës së Kosovës në Cyrih.

Në fjalën e tij, Hfz. Mehas Alija theksoi rëndësinë e Ramazanit si muaj i bashkimit, reflektimit dhe forcimit të lidhjeve ndërmjet besimtarëve. Ai vlerësoi rolin e xhamive në mërgatë si qendra adhurimi, edukimi dhe ruajtjeje të identitetit fetar e kombëtar, duke nënvizuar përgjegjësinë e komunitetit shqiptar mysliman për dialog, respektim të ligjit dhe bashkëjetesë në shoqërinë zvicerane.

“Iftari nuk është vetëm një moment i ndërprerjes së agjërimit; ai është edhe një moment afrimi. Është një tryezë që i bashkon zemrat para se t’i bashkojë duart”, tha Alija.

Ai shtoi se “forca e vërtetë nuk qëndron në ndarje, por në bashkim; jo në fjalë të mëdha, por në vepra të sinqerta”, duke theksuar rëndësinë e unitetit institucional dhe dialogut si bazë për një të ardhme të përbashkët dhe përfaqësim dinjitoz.

Diplomati kosovar Vigan Berisha uroi besimtarët myslimanë shqiptarë për një agjërim të mbarë, duke vlerësuar përkushtimin e tyre ndaj vlerave humane gjatë muajit të Ramazanit.

Edhe mysafirë të tjerë përcollën mesazhe uniteti, tolerance, durimi dhe respekti reciprok në këtë iftar të organizuar nga KMSHZ.