Kosova

Hykmete Bajrami jep dorëheqje të parevokueshme nga LDK

“Ky veprim nuk është personal dhe as emocional, por respektim i standardit politik që LDK-ja vetë e ka ndërtuar ndër vite”, shkruan Bajrami

Hykmete Bajrami ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së Lidhjes Demokratike (LDK), dhe në të njëjtën kohë ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, kanë thënë dy burime të ndryshme brenda kryesisë së kësaj partie.

“Dje në mbledhjen e LDK-së kam kërkuar dorëheqjen e parevokushme të z. Abdixhiku nga pozita e kryetarit të LDK-së, si standard i vendosur nga vetë LDK-ja. Duke respektuar të njëjtin standard, kam ofruar dorëheqjen time të parevokueshme nga pozita e Nënkryetares së LDK-së, mbi parimin se kush merr rezultate të rënda zgjedhore për LDK-në duhet marrë përgjegjësi dhe t’i hapë rrugë zgjedhjeve të brendshme.

Ky veprim nuk është personal dhe as emocional, por respektim i standardit politik që LDK-ja vetë e ka ndërtuar ndër vite.

Përtej rezultatit të dobët zgjedhor të LDK-së, sfida kryesore për Republikën e Kosovës mbetet rreziku i përqendrimit të pushtetit absolut te një parti politike, te një person i cili, që pesë vite ka dëshmuar se interesin personal dhe atë partiak e ka para interesit të Kosovës.

LDK-ja kurrë s’ka qenë dhe as sot nuk është vetëm një parti politike; ka qenë, është dhe do të mbetet mbrojtëse e shtetit dhe e institucioneve, mbrojtëse e Lirisë, Pavarësisë dhe Demokracisë, por kjo bëhet e mundshme vetëm kur ne vëmë LDK-në para interesit personal dhe Kosovën para interesit politik partiak.

Pas rezultateve të 28 dhjetorit, lidershipi dhe organet e partisë kanë humbur legjitimitetin prandaj duhet zgjedhje të brendshme. Zgjedhjet e brendshme në LDK janë të domosdoshme dhe nga situata ku gjendemi nuk na shpëton asnjë proces tjetër.

Edhe njëherë, falënderoj 126 mijë e 102 qytetarë që kanë votuar LDK-në dhe 57 mijë e 153 gra e burra që më kanë besuar angazhimin tim politik.

Do të vazhdoj të punoj për LDK-në dhe për interesin e vendit, si deputete e zgjedhur në mandatin tim të shtatë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, brenda Grupit Parlamentar të LDK-së.

LDK-ja ka nevojë për reflektim, përgjegjësi dhe vizion për të ardhmen, sepse e fortë i duhet Kosovës”, ka shkruar ajo.

Në zgjedhjet e fundit, LDK-ja ka siguruar vetëm 13.23 për qind të votave, 5 pikë të përqindjes më pak se në zgjedhjet e shkurtit të 2025-s.

Në legjislaturën e dhjetë, LDK-ja do të përfaqësohet me 15 deputetë, 5 më pak se në parapraken. Nga kandidatët e LDK-së, Bajrami u rëndit e dyta me 57 mijë vota