Shkurt.ch

Hidhet poshtë bashkimi i “dy Bazelëve”

Baselstadt dhe Baselland nuk do të bëhen bashkë në një kanton të plotë

Një temë e nxehtë dhe që preokupon prej banorët e dy gjysmëkantoneve: Baselstadt dhe Baselland, bashkimi i tyre në një kanton të plotë, duket se është hequr nga rendi i ditës. Kjo, së paku sa i takon qendrës së vendosjes të pjesës rurale, Baselland-it.

Qeveria e gjysmëkantonit Baselland ka hedhur poshtë iniciativën popullore për bashkimin me gjysmëlantonin tjetër, Baselstadt (Qyteti Bazel). Në të vërtetë refuzimi i këtij bashkimi nuk është bërë me vota unanime, 3 anëtarë të qeverisë kanë votuar kundër iniciativës dhe dy pro saj, bëhet e ditur në një konferencë për medie të mbajtur nga qeveria.

Qeveria në fjalë dëshiron që, në vend të fuzionimit me gjysmën tjetër, të stimulojë forcimin e bashkëpunimit me të.

Përkundër këtij vendimi, një votim popullor për ose kundër bashkimit të dy entiteteve të përmendura pritet të mbahet vitin e ardhshëm.