Lajme

Në Kosovë hynë rreth 150 kamionë me lëndë të parë nga Serbia

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për të hequr tarifën prej 100 për qind për lëndën e parë për produktet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, në pikën doganore në Merdar kanë hyrë rreth 150 kamionë me të produkte të lëndës së parë nga këto dy shtete.

Në këtë pikë doganore bëhet e ditur se që nga momenti kur ka hyrë në fuqi ky vendim, nga 20 marsi e deri më 29 mars, kanë hyrë 146 kamionë me mallra të lëndës së parë.

Arsim Ibrahimi, shef ndërrimi në pikën e kalimit në Merdar, deklaroi për KosovaPress se vendimi i qeverisë është duke u zbatuar, por që nuk ka fluks të madh të mallrave apo lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Ai theksoi se të gjithë kamionët që kalojnë përmes kësaj pike po kontrollohen dhe se nuk kanë hasur në ndonjë problem.

Sipas vendimit të ekzekutivit, nga mesnata e 21 marsit janë hapur gjashtë pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë për importimin e lëndës së parë nga ky vend.

Kurse, nga 1 prilli Qeveria e Kosovës pritet të nxjerrë një vendim tjetër për heqjen e tërësishme të tarifave ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, shkruan Telegrafi, përcjell Albinfo.ch.