Lajme

Hapet rruga për investimin e Fondit Pensional në Kosovë

Fondit të Trustit të Kursimeve Pensionale iu është hapur rruga për investime më të mëdha në Kosovë. Komision parlamentar për Buxhet e Financa, ka përkrahur Projektligjin për fondet pensionale të Kosovës, i cili ndryshon vlerën e investimeve në Kosovë të Fondit të Trustit nga 5 në 30 për qind.

Kryetarja e komisionit, Safete Hadërgjona, para miratimit tha se ky ligj është i nevojshëm për zhvillimin dhe mbikëqyrjen e sistemit pensional, shkruan shtypi kosovarë.

“Nëpërmjet këtij projektligji përcaktohen edhe licencimi, rregullimi, mbikëqyrja dhe investimi i fondeve pensionale”, citohet të ketë thënë ajo.

Çështjet kryesore të adresuara në këtë ligj janë pensionet bazike, pensionet e kursimeve individuale të qëndrueshme, fondet plotësuese pensionale të punëdhënësit dhe pensionet plotësuese individuale.

Ky projektligj, sipas ministrit të Financave Bedri Hamza, rregullon mënyrën e investimit të mjeteve pensionale dhe mundësinë e investimeve në letra me vlerë të Qeverisë së Kosovës.

“Nga 5 për qind, sa ka qenë e mundur të investohet nga ky fond, me ligjin e ri mund të investohen 30 për qind e fondit. Gjithmonë duke i dhënë të drejtë Bordit të Trustit që të vendosë nëse dëshiron të investojë”, ka deklaruar Hamza.

Sipas medieve të vendit, deputeti Muhamet Mustafa shprehu pajtimin e tij me ndryshimet në këtë ligj.

“Pos investimeve në Kosovë, ky ligj jep parakushte të mira që kthimi i mjeteve të Trustit të ketë një vlerë më të madhe dhe më të sigurt se deri më tani”, tha Mustafa.

Zëvendëskryetari i komisionit, Naser Osmani, tha se investimet në letrat me vlerë të Kosovës janë shumë më të sigurta sesa ato jashtë vendit.

Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës ka përkrahur këtë projektligj.

Anëtarët e komisionit kanë përkrahur Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për administratën tatimore dhe procedurat.