Lajme

Gratë të mbrojtura nga ligji, të diskriminuara nga burrat

Sipas statistikave, në vitin 2015 janë vërejtur dallime gjinore ku meshkujt marrin paga më të larta sesa femrat. Edhe pse ligji i mbron femrat, ato mbesin “pas” burrave

Ligjet në Kosovë garantojnë barabarësinë e dy gjinive në të gjitha institucionet e vendit, përfshirë edhe punimin, por në realitete ndodhë e kundërta, gratë vazhdimisht janë të diskriminuara nga burrat. Kjo ndodhë në punësim, e po ashtu edhe në paga, sidomos në sektorin privat.

Derisa në sektorin publik femrave në shumë raste nuk iu jepet mundësia që të udhëheqin pozita të larta vendimmarrëse, ku pagat për ato pozita janë më të larta, në sektorin privat ato edhe shpesh injorohen dhe largohen nga puna, në momentin që e kuptojnë se janë shtatzëna.

Janë të dhënat zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, si dhe hulumtimet e bëra nga organizatat joqeveritare që merren më barazi gjinore, të cilat flasin për këtë diskriminim që iu bëhet femrave në raport me pagën. Sipas tyre në vitin 2015, “janë vërejtur dallime gjinore me një tendencë të lehtë që meshkujt të marrin paga më të larta sesa femrat”.

Luljeta Demolli është drejtoreshë ekzekutive në Qendrën për Hulumtime dhe Studime Gjinore. Ajo për REL thotë se legjislacioni në Kosovë mbron parimin e barazisë edhe në rastin e pagave, por që në disa raste këto ligje nuk respektohen, në veçanti kur kemi të bëjmë me sektorin privat.

“Në sektorin privat është i pranishëm fakti se femrat paguhen më pak se meshkujt, pavarësisht pozitës së njëjtë mbajnë. Ka raste ku në një kompani private një menaxher paguhet me shumë sesa një menaxhere, apo një këshilltare paguhet më pak se një këshilltar. Kjo tregon një diskriminim gjinor”, thotë Demolli.

Ndërsa kryeinspektori i Inspektoratit të Punës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Basri Ibrahimi, nuk e përjashton mundësinë se mund të ketë dallime të tilla eventuale, por që tregon se nuk ka pasur ndonjë ankesë të tillë.

“Ne kemi shumë lloje të ankesave, për mos respektim të kontratave të punës, për siguri në punë, për orarin e punës, për pushim të lehonisë, por deri më tani asnjëherë nuk kemi pasur ndonjë ankesë që femrat janë të diskriminuara në pagë për atë vetëm se janë femra, dhe e bëjnë të njëjtën punë”, thotë Ibrahimi.

Një problematikë tjetër e cila paraqitet në aspektin gjinor tek të punësuarat në sektorin publik, sipas Luljeta Demollit, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën për Hulumtime dhe Studime Gjinore, është mos avancimi i femrave në pozita të larta.

“Në Kosovë në sektorin publik ka mungesë të grave në pozita të caktuara…ato nuk avancohen në pozita vendimmarrëse, pozita që kanë koeficient më të lartë ku do të arrinin të kishin një pagë më të lartë, dhe rrjedhimisht ky është dallimi që iu bëhet grave në sektorin publik”, shprehet Demolli.

Ndryshe, shkalla e punësimit, sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, është më e lartë për meshkuj se për femra: “38.7 për qind e meshkujve në moshë pune ishin të punësuar krahasuar me 11.3 për qind të femrave në moshë pune”.