Sporte Luftarake
Grand Slami i Parisit nis këtë fundjavë, Kosova me gjashtë xhudistë në garë
Spektakël xhudoje në Paris, gjashtë garues nga Kosova në arenën “Bercy”
Në fundjavë, Parisi do të jetë qendra botërore e xhudos, me zhvillimin e Grand Slamit të Parisit, i cili konsiderohet gara më prestigjioze dhe më e famshme e këtij sporti. Kjo ngjarje dallon për numrin e madh të shikuesve, shpesh mbi 15 mijë në blloqet finale – për arenën madhështore “Bercy”, si dhe për pjesëmarrjen e xhudistëve më të mirë në botë, përcjell albinfo.ch.
Atmosfera në Paris është unike edhe për shkak të kulturës së fortë të xhudos në Francë. Një pjesë e madhe e publikut janë njohës të mirë të sportit, teknikave dhe rregullave, çka e bën garën edhe më spektakolare.
Turneu zhvillohet gjatë dy ditëve, të shtunën dhe të dielën, ndërsa këtë vit janë regjistruar 518 garues nga 81 shtete të ndryshme. Të gjitha ndeshjet e xhudistëve kosovarë zhvillohen të shtunën.
Kosova përfaqësohet me pesë xhudiste dhe një xhudist.
Në konkurrencën e femrave garojnë:
Erza Muminoviq (deri 48 kg),
Distria Krasniqi dhe Fationa Kasapi (deri 52 kg),
Flaka Loxha (deri 57 kg),
Laura Fazliu (deri 63 kg).
Në konkurrencën e meshkujve, Akil Gjakova garon në kategorinë deri 73 kilogramë.
Pos Distria Krasniqit, Laura Fazliut dhe Akil Gjakovës, të cilët janë sportistët më të suksesshëm që ka aktualisht Kosova, ekipin e përbëjnë edhe Erza Muminoviq, Fationa Kasapi dhe Flaka Loxha, të cilat fituan medalje fundjavën e kaluar në “European Open” në Sofje të Bullgarisë.
Distria Krasniqi është bartësja e parë në kategorinë deri 52 kilogramë dhe një nga pretendentet kryesore për medalje. Konkurrencë pritet t’i bëjnë emra të njohur si gjermanja Mascha Ballhaus, spanjollja Ayumi Leiva Sanchez, francezja Amandine Buchard, hungarezja Reka Pupp, italiania Odette Giuffrida, si dhe dy xhudistet japoneze.
Distria ka një histori të jashtëzakonshme në Paris: ka fituar medalje të arta në vitet 2020, 2023 dhe 2024, medalje të argjendta në 2019 dhe 2022, si dhe medalje të bronzta në 2017, 2018 dhe 2025. Në total, ajo ka tetë medalje në këtë Grand Slam.
Laura Fazliu është bartësja e katërt në kategorinë deri 63 kilogramë. Më lart se ajo në renditje janë Iva Oberan (Kroaci), Joanne van Lieshout (Holandë) dhe Kirari Yamaguchi (Japoni). Laura synon medaljen e saj të parë në Grand Slamin e Parisit.
Ndërkohë, Akil Gjakova, për shkak të një mungese të gjatë nga garat si pasojë e lëndimit, nuk është bartës në këtë edicion. Ai nuk ka garuar që nga qershori i vitit të kaluar. Megjithatë, Gjakova ka histori suksesi në Paris: ka fituar medaljen e artë në vitin 2018, ishte i dyti vitin e kaluar dhe i treti në vitin 2024.
Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer, ka vlerësuar rëndësinë e veçantë të këtij turneu, duke theksuar se Parisi mbetet një bastion i përsosmërisë në xhudo dhe një vitrinë e nivelit më të lartë të këtij sporti.
Ky është edicioni i 52-të i turneut të Parisit dhe njëkohësisht gara e parë e vitit në Turin Botëror të xhudos, seri që përfshin ngjarjet më të mëdha dhe më prestigjioze të këtij sporti. /Albinfo.ch
Të tjera nga Sporte Luftarake
E-Diaspora
-
Japoni
Edisa Shoshi diplomon në Master në Universitetin e Tokios E reja kosovare përfundon me sukses studimet në Universitetin e Tokios, duke u shndërruar në një... -
Gjermani
I jepet sot lamtumira e fundit 17-vjeçarit nga Kosova që vdiq pas aksidentit në Gjermani -
Londër
Kushtet e pasigurta të punës, shkaku kryesor i vdekjes së 19-vjeçarit shqiptar në Angli -
Erdhi për pushime në Kosovë, mërgimtari vritet nga e dashura -
Gjermani
Gjermani: Ndërron jetë 3-vjeçari nga Kosova pas rënies në lum
Jeta në Austri
-
Tragjedia e Vjenës: I lënduari është Nazmi Muharremi – flet vëllai që ia shpëtoi jetën “Ndihmomë o vëlla se vdiqa”... -
Në Vjenë ndizen qirinj për viktimat e aksidentit tragjik -
Austri: Kosovarja shkakton aksident me makinë, lëndohet rëndë çiklistja -
Janë nisur drejt Kosovës trupat e viktimave nga aksidenti në Vjenë -
Austri: Dialektet do të mësohen në kurset e reja të integrimit











