Shkurt.ch

Gjysma e zviceranëve kundër heqjes së sekretit bankar

Refuzimi i shprehur në gjithë vendin sipas sondazhit "Bilan" është 54 për qind

Shumica e zviceranëve janë kundër heqjes së sekretit bankar në bankat zvicerane. Kështu thotë një sondazh i realizuar nga magazina zvicerane e biznesit “Bilan”.

Në pjesën gjermane të Zvicrës refuzimi është më i theksuar se në pjesën romande.

48 për qind e zviceranëve të pjesës perëndimore ishin deklaruar kundër heqjes së sekretit bankar për vendësit, ndërsa 55 për qind ishin kundër nga pjesa gjermanofolëse e Zvicrës.

Refuzimi i shprehur në gjithë vendin sipas sondazhit “Bilan” është 54 për qind.

Rreth këtij hulumtimi gjatë janarit janë intervistuar rreth 1.000 persona nëse autoritetet tatimore duhet të kenë qasje në të dhënat bankare për të luftuar evazionin fiskal, por edhe mashtrimin tatimor.

Rreth dy të tretat e të anketuarve janë shprehur gjithashtu në favor të luftimit të mashtruesve tatimorë. 60 për qind e të anketuarve në pjesën gjermanofolëse të Zvicrës ishin deklaruar për dënimin e tyre, ndërsa 75 për qind në pjesën frengjishtfolëse të Zvicrës.