Lajme
Gjyqtarët e karrierës, pesëfishuan pasurinë
81 gjyqtarët e Apelit në Shqipëri kanë grumbulluar në duart e tyre 2 miliardë lekë (rreth 15 milionë euro) pasuri në total, të investuara në pasuri të paluajtshme, kompani biznesi, nëpër banka apo edhe cash
Gjyqtarët e Apelit në Shqipëri kanë pesëfishuar pasurinë gjatë dekadës së fundit, duke grumbulluar në duart e tyre më shumë se 2 miliardë lekë ( rreth 15 milionë euro) të deklaruara në total. Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se pasuria e gjyqtarëve të Apelit në Shqipëri vlen dhjetëra milionë më tepër se shuma e pagave që ata kanë përfituar së bashku gjatë 11 viteve të karrierës.
Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, BIRN analizoi deklaratat e pasurisë së 81 gjyqtarëve të Gjykatave të Apelit në Shqipëri, pasi i administroi ato nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI përmes një kërkese të bazuar në ligjin për të drejtën e informimit.
Të dhënat e plotësuara nga gjyqtarët në secilën deklaratë vjetore u hodhën në një databazë dhe iu nënshtruan analizës aritmetike dhe logjike, e cili bazohet në një nga format e kontrollit të përdorura nga ILDKPKI për të hetuar pasurinë e zyrtarëve dhe është e njohur si një nga praktikat më të mira ndërkombëtare.
Përveç analizës aritmetike dhe logjike, databaza mundëson gjithashtu gjenerimin e të dhënave mbi pasurinë neto dhe bruto të secilit gjyqtar dhe të gjithëve së bashku, llojin e kësaj pasurie dhe vlerën e detyrimeve dhe borxheve që ata kanë ndaj palëve të treta.
Të dhënat e përftuara nga ILDKPKI nuk ofrojnë fakte nëse pasuritë e këtyre gjyqtarëve janë shtuar apo jo në mënyrë të kundraligjshme. Megjithatë, ato tregojnë se si një numër i madh gjyqtarësh u pasuruan përmes një rrjeti të gjerë borxhesh, të përfituara përmes kredive bankare apo huave nga familjarët apo palët e treta.
Njësoj si zyrtarët e tjerë, edhe gjyqtarët e kanë deklaruar për herë të parë pasurinë e tyre në vitin 2004. BIRN mori nga ILDKPKI 959 deklarata vjetore të gjyqtarëve të gjykatave të Apelit, të administruara nga viti 2004 deri në vitin 2015, të cilat iu nënshtruan më pas analizës së thelluar.
Të dhënat tregojnë se në fillim të vitit 2004, pasuria e deklaruar e 81 gjyqtarëve të Apelit ishte vetëm 401 milionë lekë (3.2 milionë USD). Në fillim të vitit 2015, gjyqtarët deklarojnë se pasuria e tyre dhe e rrethit të ngushtë familjar është 2 miliardë lekë (17 milionë USD) ose pesë herë më e lartë se në vitin fillestar të deklarimit.
Në fillim të vitit 2015, vlera e detyrimeve të të gjithë gjyqtarëve së bashku ndaj bankave, kompanive të ndërtimit ose familjarëve është 742 milionë lekë. Pasuria e tyre neto, pas zbritjes së totalit të detyrimeve ende të pashlyera kap shifrën e 1.7 miliardë lekëve (14 milionë USD).
Në 11 vitet mes deklarimit të parë të pasurisë dhe vitit të fundit të marrë në analizë, pasuria e të gjithë gjyqtarëve të Apelit është rritur me rreth 10 milionë dollarë. Mesatarisht, çdo gjyqtar ia ka dalë të shtojë pasurinë me 12 mijë USD në vit, pavarësisht se paga vjetore mesatare për gjyqtarët e Apelit varion nga 5500 në 9400 USD në vit.
Ndryshe, sipas kësaj analize, sistemi gjyqësor shqiptar vuan një nivel të lartë korrupsioni, sipas perceptimit të shumicës së shqiptarëve dhe raporteve monitoruese ndërkombëtare. Një reformë në drejtësi që mundëson njëkohësisht pastrimin e sistemit nga gjyqtarët e korruptuar është kushti kyç i Brukselit për ecurinë e mëtejshme të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
Por, prej 18 muajsh, klasa politike shqiptare po diskuton një reformë të thellë kushtetuese, që ka për qëllim të ndryshojë në mënyrë radikale procesin e kontrollit të integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke kërkuar të luftojë korrupsionin e gjithëpërhapur në radhët e njerëzve të sistemit të drejtësisë.
Reforma parashikon ngritjen e institucioneve të reja për të arritur qëllimin e çrrënjosjes së korrupsionit dhe çlirimin e gjyqësorit nga influenca politike. Nëse reforma do të miratohet, një nga institucionet kyç është dhe Komisioni i Pavaruar i Kualifikimit dhe Kolegji i Apelimit –institucione të përkohshme të cilat do të qëndrojnë në këmbë për 9 vjet pas hyrjes në fuqi të ligjit dhe do të ketë si qëllim marrjen në sitë të korpusit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Gjatë periudhës së funksionimit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të kryejë vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në tre drejtime – njëri prej të cilëve është edhe vlerësimi i pasurisë.
E-Diaspora
-
Itali
Tragjedi në Itali, fqinji rrëfen si u gjetën të pajetë katër anëtarët e familjes shqiptare Helmimi me gaz në Porcari, dëshmia e fqinjit shqiptar për momentet e para... -
Kompania shqiptare mbulon Forumin në Davos me mbi 100 vetura luksoze -
Kosovë
Veshja tradicionale e Hasit të Prizrenit synon mbrojtjen nga UNESCO -
Amerikë
Shqiptarja hyn në histori me emërimin në administratën e lartë të SHBA-së -
Amerikë/Shqipëri
Talent shqiptar nga Amerika që po sjell ventrilokizmin në skenën shqiptare
Jeta në Austri
-
Raporti i Eurostat: Çmimet e shtëpive në BE janë rritur me 53% që nga viti 2010 Botimi i Eurostat-it “Strehimi në Evropë – Botimi 2025” tregon ndryshime të mëdha në kostot e... -
Austri: Këto cigare po bëhen më të shtrenjta -
Hendeku buxhetor i Vjenës për vitin 2025 u reduktua në 2.8 miliardë euro -
Studimi: Të rinjtë në Austri përdorin më pak mediat sociale, rritet përdorimi i chatbot-eve me inteligjencë artificiale -
Vjena planifikon shtëpi të mbyllura në grup për shkelësit e përsëritur nën moshën 14 vjeç











