Kosova

Gjykata Speciale ia vazhdon paraburgimin Rexhep Selimit

Dhomat e Specializuara vendosin që ish-pjesëtari i UÇK-së të mbetet në paraburgim, ndërsa aktgjykimi pritet të shpallet më 16 shtator

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë vendosur t’ia vazhdojnë masën e paraburgimit ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Rexhep Selimit, përcjell albinfo.ch.

Në vendimin e publikuar më 28 korrik 2026, Paneli i Gjykatës njoftoi se rishikimi i ardhshëm i paraburgimit është caktuar, në parim, për 28 shtator 2026, përveç nëse deri atëherë shpallet aktgjykimi në këtë çështje.

Sipas vendimit, duke qenë se seanca për shpalljen e aktgjykimit është planifikuar për 16 shtator 2026, në këtë fazë nuk është parë e nevojshme që palëve t’u kërkohen parashtresa shtesë lidhur me vazhdimin e paraburgimit.

Në përfundim të vendimit, gjykata urdhëron vazhdimin e paraburgimit ndaj Selimit dhe kërkon nga mbrojtja e tij që deri më 21 gusht 2026 të dorëzojë një version publik të njoftimit për rishikimin e paraburgimit ose të kërkojë riklasifikimin e dokumentit.

Rexhep Selimi po gjykohet në Hagë së bashku me ish-krerët e tjerë të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, në një proces gjyqësor që lidhet me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ky është një nga vendimet e radhës për vazhdimin e paraburgimit ndaj Selimit, ndërsa procesi gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së po i afrohet fazës së shpalljes së aktgjykimit./Albinfo.ch