Tematike

Gjykata Administrative Federale: Pensionet në Kosovë duhet të paguhen!

Gjykata, në një vendim të ri të saj kërkon nga Zyra Federale që të zbatojë pa zvarritje vendimin e saj për vazhdimin e pensioneve

Enti Federal për Sigurime Sociale vazhdon të refuzojë pagesën e të hollave për personat me sigurim pensional dhe atij të invaliditetit të Zvicrës, të cilët jetojnë në Kosovë. Ky qëndrim i këtij enti është atakuar nga Gjyqi Federal Administrativ.

Ndërkohë, gjendja vazhdon të mbetet e tillë që kosovarët të cilët kanë fituar pensionin e pleqërisë ose të invaliditetit në Zvicër, mbeten duarthatë në rast se kane vendosur të kthehen të jetojnë në vendlindje. Kjo pra, ndodh përkundër faktit se Gjyqi Federal Administrativ në marsin e vitit të kaluar i kishte rekomanduar entit në fjalë që të ndryshonte këtë praktikë.

Kështu thuhet në një vështrim të radios zvicerane drs, rrihet çështja e mosvazhdimit të pagesave të sigurimeve sociale të Zvicrës në Kosovë. 

Në vazhdim, shkrimi përkujton kronologjinë e zhvillimeve rreth ndalesës së rrjedhjes së sigurimeve sociale të Zvicrës në Kosovë. Shkas për ndërprerjen e njëanshme të marrëveshjes për sigurimet shoqërore qe bërë pretendimi se detektivët socialë të dërguar nga Zvicra qenë kërcënuar nga abuzuesit kosovarë të pensioneve. Veç kësaj, sipas Qeverisë së Zvicrës, në Kosovë nuk funksionon sistemi social.

Ndërkaq Gjykata Administrative Federale kishte gjykuar ndryshe. Sipas saj, kosovarët posedojnë dyshtetësinë (krahas shtetësisë kosovare u njihet edhe ajo serbe) dhe, duke qenë se në mes të Zvicrës dhe Serbisë marrëveshja vazhdon të funksionojë, rrjedhimisht edhe kosovarët duhet të kenë të drejtë për pensionet në fjalë.

Enti Federal për Sigurime Sociale nuk e ka pranuar këtë qëndrim dhe e dërgoi lëndën në Gjykatën Federale si instanca më e lartë e gjyqësisë së Zvicrës, ku mori përgjigje negative.

Pasi që kjo gjykatë nuk kishte parë ndonjë arsye që të merret me çështjen, tash Gjykata Federale Administrative konsideron se vendimi i saj i marrë më herët është i plotfuqishëm dhe kërkon, në një vendim të ri të saj nga Zyra e përmendur federale, që të zbatojë pa zvarritje vendimin e vitit të kaluar (të Gjykatës Federale Administrative).

Por, në Zyrën Federale për Sigurime Sociale mbajnë qëndrimin se fjala e fundit nuk është thënë akoma. Kjo zyrë do të shqyrtojë të gjitha rastet e refuzuara por edhe më tutje nuk do të paguajë pensionet në Kosovë. Prandaj, zyra në fjalë “do të luftojë edhe një herë deri në gjykatën federale për qëndrimin e saj”, ka thënë një zëdhënës i saj për drs.

Kështu, gjendja pezull për personat e prekur nga ndërprerja e zbatimit të marrëveshjes po vazhdon. Osman Osmani, ekspert i migracionit dhe sindikalist i Unia-s shprehet i mllefosur lidhur me gjendjen. “Juridikisht gjendja është e qartë”, thotë ai dhe shton se është i bindur se mbrapa këtij konflikti fshihet diçka më shumë se vetëm interpretimi i ligjit.

Ai thotë se kjo rrëmujë bëhet më e qartë kur shikohet ecuria e negociatave për sigurimet sociale të Zvicrës me shtetet trashëgimtare të ish Jugosllavisë. Duke përdorur kërcënimin e ndërprerjes së marrëveshjeve në fjalë, Zvicra imponon marrëveshje më restriktive. Kështu, në marrëveshjen e arritur me Kroacinë, sipas tij, nuk përfshihen shtesat e fëmijëve.

Ndërkohë, Sindikata Unia ka dalë me një komunmikatë përmes të cilës kërkon që marrëveshja e vjetër për sigurimet shoqërore të kthhet në fuqi deri sa të negociohet marrëveshja e re.

 “Sindikata Unias pret nga Enti Federal për Sigurimet Shoqërore të heq dorë nga kundërshtimi i tij dhe në fund të pranojë që Marrëveshja mbi Sigurimet Shoqërore është e vlefshme dhe duhet të zbatohet për qytetarët e Republikës së Kosovës. Enti në fjalë duhet të udhëzojë institucionet përkatëse (Entet e AHV/IV) të veprojnë në përputhje me vendimet në fjalë.

 

Përderisa nuk është negociuar një Marrëveshje e re me Kosovën, Marrëveshja e vjetër e trashëguar mbetet në fuqi. Unia kërkon vendosmërisht nga Enti Federal për Sigurimet Shoqërore të fillojë pa stërzgjatje bisedimet për një Marrëveshje të re me Republikën e Kosovës, thuhet veç tjerash në komunikatën e Unia-s.

 

Ibrahimi: Gjykata Administrative Federale ka mbajtur qëndrim parimor

I pyetur nga albinfo.ch lidhur me gjendjen më të re në këtë drejtim, specialisti i sigurimeve sociale, Ruzhdi Ibrahimi thotë se vendimi më i ri i Gjyqit Administrativ është vazhdimësi e atij të marrë në muajin mars.

“Ky vendim vjen edhe si përgjigje ndaj një rasti të ri të një ankese të palës së dëmtuar kosovare, të proceduar në këtë gjykatë. Ai e përforcon edhe më tutje qëndrimin parimor të Gjykatës Administrative për drejtësinë e vendimit të marrë nga ajo. Pastaj, duke marrë shkas nga mos marrja në shqyrtim nga ana e Gjykatës Federale, (instancës më të lartë në Zvicër) të ankesës së zyrës Federale të Sigurimeve Shoqërore, Gjykata administrative e konsideron me të drejtë vendimin e vet si të plotfuqishëm”, tha specialisti i sigurimeve sociale, Ruzhdi Ibrahimi.