Gjuha

Gjuha shqipe në diasporë – quo vadis/ ku po shkon?

Më 7 qershor 2013 në “folenë” e Shkollës së Lartë Pedagogjike të Cyrihut u mbajt konferenca ”Gjuha shqipe në diasporë – quo vadis/ ku po shkon?

Nuk është një fjali pyetëse, është diçka më tepër, është shumëçka më tepër. Janë tre breza shqiptarësh, tre breza të një kombi të lashtë që jeta i mori dhe jetojnë në Zvicër! Është ruajtja e gjuhës shqipe!

Që në kushte larg atdheut kërkohet dëshirë, punë nga ana e prindërve dhe e fëmijëve. Shkolla shqipe në shumë kantone ka formuar një traditë, por fatkeqësisht është numri i vogël i fëmijëve shqiptarë. Prindërit shqiptarë nuk hamendën për t’i dërguar fëmijët e tyre në klubet sportive zvicerane, mirë bëjnë, por është e domosdoshme që këta fëmijë të ndjekin mësimin plotësues të gjuhës shqipe, ku shqipja përveç se flitet rrjedhshëm, shkruhet dhe lexohet.

Të mos lodhemi kurrë për identitetin tonë, duke ndjekur edhe shembullin e atdhetarëve të shquar të Rilindjes, por edhe të sotshëm dhe të punojmë për gjuhën tonë, shkollën shqipe dhe kulturën shqiptare, për t’u zhvilluar më tej në brezat e rinj dhe për ta ruajtur pastërtinë e gjuhës sonë. Të mos lejojmë të humbasë e të përziejmë me fjalë të huaja të gjuhëve të tjera!

Konferenca kushtuar gjuhës shqipe, shumë e rëndësishme, u zhvillua nën kujdesin e albanologut zviceran, Prof. Dr. Basil Shadër. Është i njohur kontributi i tij për gjuhësinë shqiptare, edhe në mungesë të katedrës së gjuhës shqipe në Zvicër, i cili me studimet e shqipes vuri themelet e albanologjisë zvicerane, bëri që ajo të flasë edhe gjermanisht në nivel të ndritshëm shkencor.

Ai është pjesë e Shkollës shqipe në Zvicër, hartoi librin e parë për mësimin plotësues dhe kohët e fundit është një ndihmë tjetër e çmuar realizimi i projektit “Tekstet për mësimin e gjuhës shqipe” për tri ciklet.

Pa dyshim që ai së bashku me bashkëshorten, zonjën e nderuar Erika Shader, janë anëtarë nderi të LAPSH-it.

Konsideroj që edhe kjo konferencë është një nder që i bëhet. Vlerësoj se të merresh me njohjen e problemeve të kulturës shqiptare, do të thotë se kujdesesh për ta mbrojtur një kulturë të pasur që flitet dhe shkruhet, e që më se dyzet vjet bashkëjeton me kulturën e bashkësisë pritëse.

Kjo ndihmë ka meritën se shquan personalitete që me përkushtim punojnë në të mirë të mirëqenës së bashkësisë, kulturës së saj, me qëllim që të krijojnë një lëvizje mendimesh me synim forcimin e ndjenjës së identitetit kulturor dhe kompaktësinë e tij.

Punimet e konferencës i hapi Rektori, Prof. Dr. Walter Bircher, i cili mbajti një fjalim përshëndetës, duke na u drejtuar: ”Ju përpiqeni t’ju mësoni fëmijëve tuaj gjuhën shqipe, sepse gjuha amtare është vlerë, është vendlindje, është plotësisht e kuptueshme mundi për ruajtjen e saj … “

Në konferencë me kumtesa morën pjesë: Prof. Dr. Gjovalin Shkurtaj nga Instituti i Gjuhësisë, Tiranë, Mehmet Elezi, gjuhëtar, leksikolog, Ambasador i RP Shqipërisë, Prof. Dr. Basil Shader, pedagog i gjermanishtes dhe i shqipes. Një vështrim të hollësishëm nga puna praktike e mësimit plotësues të gjuhës shqipe paraqiten mësuesi Nexhat Maloku, Cyrih dhe mësuesja prof. Nexhmije Mehmetaj Jura.

Ajo që të jep krenari, tri të reja që përfaqësonin fytyrën e bukur të brezit të ri shqiptar në Zvicër, por të arsimuar dhe të formuar këtu, Shqipe Bajrami,  Ylfete Fanaj, Shpresa Jashari.

Autorja Franziska Agosti plotësonte ngjarjen e asaj dite me mjeshtëri të brymosur në art të fotografisë dhe me kuptimin e lartë të porosisë dhe të evidencimit të pranishëm mes dy kulturave.

Organizatorë të konferencës ishin Shkolla e Lartë Pedagogjike e Cyrihut, së bashku me Lidhjen e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Zvicër, Universitetin Popullor Shqiptar në Gjenevë, Institutin Zviceran për Studime Shqiptare në Llozanë dhe Institutin Shqiptar në St. Gallen.

Nexhmije Mehmetaj
Delemont, më 16.06.2013