Lajme
Gjermania zotohet të ndalojë importin e naftës ruse deri në fund të vitit
Gjermania blen aktualisht një të katërtën e naftës dhe 40% të gazit nga Rusia dhe ka paralajmëruar se mund të përballet me një recesion nëse ndërpret menjëherë furnizimet.

Gjermania ka deklaruar se do të ndalojë importet e naftës ruse deri në fund të këtij viti.
“Ne do të përgjysmojmë importet e naftës deri në verë dhe do t’i zerojmë ato deri në fund të vitit, dhe më pas do të vijojmë me gazin”, tha Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock.
Shtetet e Bashkuara kanë ndaluar tashmë importet e naftës ruse, ndërsa Mbretëria e Bashkuar planifikon t’i heqë ato gradualisht deri në fund të vitit.
Baerbock tha se Gjermania do të ndjekë “strategjinë europiane” për reduktimin gradual të importeve të naftës dhe të gazit.
BE-ja ka thënë se do ta bëjë Europën të pavarur nga energjia ruse “që përpara vitit 2030”.
“Shkëputja jonë, shkëputja e plotë e gjithë Bashkimit Europian nga varësia ndaj Rusisë, është forca jonë e përbashkët”, tha Baerbock.
Gjermania ka anuluar hapjen e gazsjellësit rus, Nord Stream 2, si përgjigje ndaj pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
‘Sa më shpejt të jetë e mundur’
Në fillim të kësaj jave, institutet ekonomike në Gjermani paralajmëruan se ndalimi i menjëhershëm i importeve ruse do të shkaktonte një recesion të mprehtë në ekonominë më të madhe të Europës, i cili do të zgjaste deri në vitin 2023.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka kritikuar Gjermaninë se ajo ka dështuar për të frenuar importet e energjisë ruse, krahasuar me angazhimet e ndërmarra nga SHBA-ja dhe nga Mbretëria e Bashkuar.
Ministri i Financave i Gjermanisë, Christian Lindner, tha për BBC se vendi i tij po punonte “aq shpejt sa ishte e mundur” për të zbatuar një embargo ndaj energjisë ruse.
Ai tha se ndalimi i menjëhershëm i importeve të energjisë ruse mund të sillte mbylljen fizike të fabrikave të prodhimit dhe do të dëmtonte rëndë industrinë e prodhimit të makinave.
Lindner tha se qëllimi i Gjermanisë ishte të zbatonte sanksione, të cilat “do të dëmtonin atë (Putinin) më shumë se ne si europianë dhe tregun tonë të vetëm”.
“Nuk kam frikën e kostove ekonomike që do të vinin nga reduktimi i importeve të energjisë ruse. I druhem skenarit fizik, nëse duhet të ndalohet furnizimi për një linjë të plotë prodhimi. Kjo do të shkaktonte shumë më tepër sesa kosto ekonomike”, tha Lindner, transmeton Albinfo.ch.
Lindner tha se Rusia ishte përgjegjëse për shumë nga problemet ekonomike dhe gjeopolitike me të cilat po përballet ekonomia botërore.
“Rusia është përgjegjëse për të gjitha rreziqet gjeopolitike dhe ekonomike” që rrjedhin si rezultat i luftës – inflacioni, kriza e ushqim.eve dhe kriza serioze e borxhit në vendet në zhvillim.
Ai kritikoi gjithashtu qasjen e qeverive të mëparshme gjermane në lidhje me varësinë e vendit ndaj energjisë ruse.
“Ishte një strategji e gabuar e ndjekur nga qeveritë gjermane, gjatë dy dekadave të fundit, dhe tani na duhet të punojmë për diversifikimin e energjisë”.
Ai këmbënguli gjithashtu se llogaritë e Vladimir Putin që Gjermania do të vazhdojë të mbështetet tek energjia ruse ishin “të gabuara”.
Rreth 60% e eksporteve të naftës ruse shkojnë në Europë dhe 20% eksportohen drejt Kinës.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Promovim libri në Konsullatën e Kosovës në Cyrih Promovohet libri “Kundrime Letrare” i autorit Mërgim Bekteshi, botim i Shtëpisë Botuese “Littera”...
-
Shqiptari, në listën e të kërkuarve nga Europoli, për vrasjen e bashkatdhetarit
-
Volketswil: Të dielën zhvillohet turneu i shkollave shqipe në futboll
-
Mërgimtari arrestohet në SHBA pasi hipi në aeroplan me armë
-
Numërohen rreth 62% e zarfeve të diasporës, kryeson PS me 65 mijë vota
Jeta në Austri
-
Qiraja e re, rregulla të reja: Si funksionojnë zgjatjet e kontratave të qirasë në Austri? Rinovimi i kontratës së qirasë në Austri nuk është gjithmonë i thjeshtë nga afatet ligjore deri...
-
Çmimi i arit mund të arrijë në afro 300 euro për gram, deri në vitin 2030
-
Tradita e pushimeve: Ku do të shkojnë austriakët në verën e 2025?
-
Austri: Buxheti i ri sjell rritje të ndjeshme tarifash për qytetarët
-
Pesë mënyra se si mund të kurseni para kur blini ushqim në Austri