Kosova

Gjermania heq të dërguarin për Ballkanin Perëndimor

Së fundmi me një vendim të kabinetit, qeveria e re federale në Gjermani ka vendosur të shfuqizojë disa poste të dërguarish të posaçëm – përfshirë edhe postin për Ballkanin Perëndimor, përcjell albinfo.ch.

Ky post ishte krijuar në vitin 2022 nga ministrja e atëhershme e Jashtme, Annalena Baerbock (Të Gjelbrit), për të mbështetur me intensitet procesin e afrimit të rajonit me Bashkimin Evropian.

Ministria e Jashtme Gjermane i tha DW se ky vendim është pjesë e një premtimi qendror të qeverisë së re: shkurtimi dhe thjeshtimi i strukturave shtetërore. “Detyrat që më parë i përkisnin dërguarit të posaçëm do të kalojnë në sektorët përkatës të ministrisë dhe bashkëpunimi me vendet e rajonit do të vazhdojë të jetë i ngushtë dhe i thelluar, ndërsa Procesi i Berlinit dhe mbështetja për anëtarësimin në BE do të mbeten prioritete të qarta”.

Rol ndërmjetësues në Ballkanin Perëndimor

Manuel Sarrazin (Të Gjelbrit), i cili e mbajti këtë post deri tani, ka qenë një figurë shumë aktive në politikën gjermane për Ballkanin Perëndimor. Ai udhëtonte rregullisht në rajon, merrte pjesë në samite dhe ndërmjetësonte mes qeverive. Veçanërisht në kuadër të Procesit të Berlinit, Sarrazin pati një rol kyç në arritjen e marrëveshjeve për mobilitetin në kuadër të Procesit të Berlinit. Në qeverinë e mëparshme tripartiake, Ballkani Perëndimor gëzonte një rëndësi të veçantë.

Në marrëveshjen e re të koalicionit mes socialdemokratëve dhe demokristianëve rajoni përmendet shumë pak. Edhe pse me ministrin e Jashtëm Johann Wadephul dhe ministrin e Evropës Gunther Krichbaum – Gjermania ka në krye të diplomacisë dy njohës të Ballkanit Perëndimor, rajoni nuk arriti të gjente vend as në fjalimin e kanclearit Merz e as në atë të ministrit të jashtëm Wadephul, gjatë prezantimit të prioriteteve të tyre qeveritare të mërkurën, më 14 maj,  në Bundestag.