Zyra Federale e Policisë në Gjermani ka bërë të ditur se gjatë vitit të kaluar ka pasur rritje të rasteve të dhunës në familje.
Një total prej 256.942 personash janë prekur nga dhuna në familje, duke shënuar rritje prej 3.7 për qind në krahasim me vitin paraprak, raporton Welt am Sonntag.
Shoqata Sociale e Gjermanisë ka thënë se shifrat e fundit janë shqetësuese.
“Dhuna në familje kryesisht nënkupton dhunë kundër grave, çka i bën qendrat për kërkim ndihme edhe më të rëndësishme”, ka thënë kryetarja e shoqatës, Michaela Engelmeier, transmeton albinfo.ch.
Sipas të dhënave, dhuna në familje është rritur për 14 për qind në pesë vitet e fundit.
Ministria për Çështje Familjare ka deklaruar se rritja e numrit të rasteve të dhunës në familje mund t’i atribuohet “rritjes së krizave shoqërore, por edhe sfidave personale”.
“Megjithatë, ka mundësi të jetë rritur gatishmëria për t’i raportuar këto incidente”, ka thënë ministria.