Incidentet me natyrë antisemite në Gjermani janë rritur ndjeshëm këtë vit, duke shënuar një rritje prej 77% krahasuar me vitin 2023. Këto shifra u publikuan sot nga një organizatë që monitoron fenomenin, e cila lidh këtë rritje pjesërisht me konfliktin e vazhdueshëm në Gaza dhe përhapjen e ideologjive ekstremiste të djathta.
Benjamin Steinitz, drejtues i Shoqatës Federale për Kërkime mbi Antisemitizmin (RIAS), tha se asnjëherë më parë nuk janë regjistruar kaq shumë sulme ndaj hebrenjve në një vit të vetëm.
Raporti i 2024-s evidenton 8,627 incidente, përfshirë tetë raste të dhunës ekstreme, 186 sulme fizike, 443 dëmtime prone dhe 300 kërcënime me fjalë.
Më së shumti janë regjistruar raste me sjellje ofenduese, gjithsej 7,541, prej të cilave 1,802 në tubime publike.
Për më tepër, 5,857 raste u kategorizuan si “antisemitizëm i lidhur me Izraelin”, ku hebrenjtë në Gjermani akuzohen për veprimet e qeverisë izraelite ose ku përballet e drejta e Izraelit për të ekzistuar. Kjo shifër është më shumë se dyfishuar krahasuar me vitin e kaluar, përcjell albinfo.ch.
Steinitz saktësoi se kjo kategori nuk përfshin kritikë të zakonshme ndaj qeverisë izraelite, por sulme me motive antisemite.
Pas sulmeve të 7 tetorit në Izrael, rritja e incidenteve antisemite është edhe më e dukshme, sipas RIAS, e cila mbledh të dhëna nga viktimat dhe dëshmitarët.
Megjithatë, një raport i fundit nga gazetari gjermano-izraelit Itay Mashiach, që punon me Aleancën e Diasporës kundër antisemitizmit, kritikon RIAS për “metoda të paqarta” dhe për fokusimin e tepruar te “antisemitizmi i lidhur me Izraelin”.