Objektivi kryesor i projektligjit, i paraqitur nga ministrja e Brendshme Nancy Faeser, është reduktimi i numrit të dëbimeve që dështojnë në momentin e fundit.
Planet përfshijnë gjithashtu masa më të ashpra kundër kontrabandistëve dhe një zgjerim të kompetencave të autoriteteve.
Sipas ligjit të ri, autoritetet do të lejohen të hyjnë në dhomat e palëve të treta me qëllim kërkimin e atyre që do të dëbohen. Në disa rrethana, autoriteteve nuk do t’u kërkohet më të shpallin dëbimet paraprakisht.
Kabineti synon gjithashtu që në të ardhmen të jetë në gjendje të dëbojë anëtarët e organizatave kriminale më lehtë.
Për të lehtësuar barrën e autoriteteve, qëndrimi në Gjermani gjatë procedurës së azilit duhet të autorizohet për gjashtë muaj në vend të tre muajve aktualë, transmeton dpa përcjell albinfo.ch.
Disa anëtarë të Partisë së Gjelbër kanë mbajtur qëndrime kritike ndaj planeve.
Faeser theksoi se të tre partitë e qeverisë së koalicionit kishin miratuar ligjin.
“Në tavolinë ishin ulur edhe të Gjelbrit”, tha ajo.
Koalicioni udhëhiqet nga Socialdemokratët (SPD) të Faeser, me të Gjelbërit dhe Demokratët e Lirë pro-biznesit (FDP) si partner të vegjël të koalicionit.
“Ministrja e Jashtme Annalena Baerbock, ministri i Ekonomisë Robert Habeck, ministri i Bujqësisë Cem Özdemir dhe ministrja e Mjedisit Steffi Lemke, të gjithë anëtarë të Partisë së Gjelbër e miratuan të gjithë projektligjin”, tha Faeser.
“Përpara miratimit të projektligjit ka patur shumë mosmarrëveshje për gjetjen e mënyrave më të mira për të trajtuar në mënyrë efektive migracionin e parregullt nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, për të vendosur drejtësinë ndaj përgjegjësisë humanitare të Gjermanisë”, tha Faeser.
“Plani për t’u ofruar refugjatëve më shumë mundësi për të punuar në Gjermani do të miratohet nga Kabineti javën e ardhshme”, shtoi ajo.
“Deri më 30 shtator, 255 330 migrantë në Gjermani u detyruan të largoheshin nga vendi, nga të cilët 205 196 u pezulluan përkohësisht nga dëbimi për arsye faktike ose ligjore”, sipas zëdhënësit të qeverisë gjermane.