Bota

Gjermanët shpenzojnë më pak për dhurata për Krishtlindje

Sipas një sondazhi të ri të Federatës Gjermane të Shitjeve me Pakicë, gjermanët planifikojnë të shpenzojnë mesatarisht 263 euro për dhurata, një shumë e tkurrur me 34 euro krahasuar me vitin 2023

Konsumatorët gjermanë planifikojnë të shpenzojnë më pak para për dhurata këtë Krishtlindje, megjithëse pritshmëritë për sezonin festiv mbeten të larta.

Sipas një sondazhi të ri të Federatës Gjermane të Shitjeve me Pakicë, gjermanët planifikojnë të shpenzojnë mesatarisht 263 euro për dhurata, një shumë e tkurrur me 34 euro krahasuar me vitin 2023. Ndërkohë, parashikohet një rritje nominale e shitjeve prej 1.5% për muajt nëntor dhe dhjetor, duke arritur 126.2 miliardë euro. Por kjo shifër, pas përshtatjes me inflacionin, mbetet praktikisht e pandryshuar në raport me vlerat e mëparshme, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Në të njëjtin sondazh, 80% e bizneseve me pakicë presin konsumatorë më “dorështrënguar”, ndërsa 83% besojnë se klientët do të jenë më të vetëdijshëm për çmimet për shkak të shtrenjtimit të shumë produkteve.

Në një sondazh tjetër, 73% e të anketuarve thanë se mezi presin periudhën e Krishtlindjes. Rreth 54% planifikojnë të shpenzojnë pothuajse të njëjtën shumë si vitin e kaluar, 11% “pak më pak” dhe 10% “ndjeshëm më pak”. Ndërsa vetëm 10% e të anketuarve u shprehën se do të shpenzojnë më shumë. Dhuratat më të preferuara janë kuponët dhuratë, lodrat, librat, produktet kozmetike dhe ato të kujdesit personal.

Federata bëri thirrje për krijimin e kushteve më të mira për ekonominë dhe sektorin e shitjes me pakicë, duke kërkuar uljen e burokracisë dhe taksës së energjisë elektrike për të gjithë, si dhe duke theksuar nevojën për “mundësi të barabarta” me kompanitë kineze Temu dhe Shein.

Institucioni gjithashtu nënvizoi rëndësinë e mbrojtjes së qendrave të qyteteve, duke shtuar se sektori i shitjeve me pakicë është industria e tretë më e rëndësishme në Gjermani, me 18.5% të shitjeve vjetore të regjistruara gjatë sezonit të festave.