Shkurt.ch

Gjeniu 10 vjeçar, megjithatë mund të studiojë

"Shpresojmë që në javët e ardhshme do të marrim një vendim përfundimtar" ka thënë dekani i Fakultetit të Matematikës në Universitetin e Cyrihut

Gjeniu i vogël i matematikës, nxënësi dhjetëvjeçar Max Janisch nga Meierskappel i Lucernit pas disa refuzimeve, do të ketë mundësi që megjithatë të ndjekë studimet e matematikës në një universitet. Aktualisht po shikohen mundësitë që ë gjenden zgjidhje speciale “të prera” sipas masës së tij.

Dekani i Fakultetit të Matematikës dhe të Shkencave Natyrore dhe së shpejti rektor i Universitetit të Cyrihut Michael Hengartner thotë se çdo i ri ka të drejtë që të stimulohet në mënyrën që do të jetë më e mira për të. Në këtë kuptim Universiteti i Cyrihut po kërkon një mundësi që performancën e Maxit ta vlerësojë me pikë.

Por, ndërkaq është e qartë se ai nuk mund të regjistrohet si student zakonshëm. Për Universitetin e Cyrihut mbetet kusht regjistrimi pasja e maturës komplete dhe jo vetëm e maturës së kryer për një fushë të caktuar, çfarë e ka tashmë Max Janisch.

“Shpresojmë që në javët e ardhshme do të marrim një vendim përfundimtar” ka thënë dekani, shkruan azonline.ch. Dhe kjo nënkupton që gjeniu i vogël, përgjysmë më i ri se kolegët e tij të ardhshëm, mund të fillojë studimet që në vjeshtë.

Babai i Maxit është profesor i matematikës dhe ai është duke bërë të gjitha përpjekjet që të birit t`i lejohet regjistrimi në universitet.