Lajme

Gjatë tremujorit të parë, më së shumti azilkërkues nga Kosova

Dje (të mërkurën) është realizuar fluturimi i parë nga një aeroport i këtij landi (Baden-Baden Karlsruhe) me kosovarë të kthyer

Në landin gjerman Baden Württemberg gjatë tre muajve të parë të këtij viti ka pasur trefish më tepër azilkërkues të paraqitur se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Nga ky numër, (10.460), 21 për qind janë refugjatë nga Kosova, grup ky dukshëm më i madhi në mesin e atyre që kanë kërkuar azil në këtë land. Në vendin e dytë janë shtetasit e Gambisë me 13% dhe, në të tretin, shtetasit e Shqipërisë, me 11% të numrit të përgjithshëm. Pas tyre vijnë shtetasit e Maqedonisë dhe të Serbisë me nga 8%.
Strehimi dhe ushqimi i këtij numri të azilkërkuesve i kushton Baden Württtemberg-ut 600 milionë euro në vit, shkruan stuttgarter nachrichten, transmeton albinfo.ch.
Dje (të mërkurën) është realizuar fluturimi i parë nga një aeroport i këtij landi (Baden-Baden Karlsruhe) me kosovarë të kthyer. Bëhet fjalë për 66 veta, të cilët, përkundër refuzimit të sttusit të azilit, nuk kishin pranuar të ktheheshin vullnetarisht. Sipas ministrit të brendshëm, Reinhold Gall, 34 të tyre ishin nga Baden Württemberg-u.
Ai ka bërë të ditur se vetëm 0.3 për qind të kosovarëve u njihet azili.