Lajme

Gjashtë shqiptarë dënohen me burgim të përjetshëm

Gjykata Themelore në Shkup i dënoi me burgim të përjetshëm: Alil Demirin, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviqin, Fejzi Azirin, Haki Hazirin dhe Sami Lutën

Gjashtë shqiptarë të Maqedonisë janë dënuar me burgim të përjetshëm nën akuzën për vrasje të pesëfishtë në periferi të Shkupit. Gjykata Themelore të hënën solli verdiktin më të rëndë me heqje lirie, për Alil Demirin, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviqin, Fejzi Azirin, Haki Hazirin dhe Sami Lutën.

 

Trupi gjykues mori vendim mbi bazën e aktakuzës së ngritur nga Prokuroria e cila rastin e  kishte koduar “Monstra”. Në këtë rast gjashtë shqiptarët u ngarkuan për pjesëmarrje në vrasjen e katër të rinjve maqedonas dhe një peshkatari maqedonas, më 12 prill 2012 në liqenin artificial Smilkovc në periferi të Shkupit.

 

Dy nga të dënuarit Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq janë në burg në Prishtinë, ku janë të dënuar për armë pa leje dhe se procedura për ekstradimin e tyre është në vijim e sipër.

 

Pala mbrojtëse e të akuzuarve reagoi ndaj vendimit të Gjykatës, duke e konsideruar të padrejtë.  

 

Avokati i të akuzuarve Naser Raufi tha se gjykata nuk guxon të përdorë dëshmi që nuk kanë të bëjnë me aktakuzën. “…deri më tani është argumentuar se këta nuk janë fajtorët dhe nuk kanë lidhje me këtë rast. Kjo është më shumë se e qartë”, ka deklaruar avokati Raufi.