Sport

Futbolli bashkoi qytetarët e Bambergut

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

Sa i përket qëndrimit ndaj të huajve, Republika gjermane e Bavarisë deri dikund me të drejtë e ka reputacionin si rajon ku emigrantët nuk e kanë aq lehtë të integrohen në këtë shoqëri. Sidomos organet shtetërore kanë qëndrime jashtëzakonisht të rrepta, duke u zvogëluar hapësirën dhe mundësitë e integrimit migrantëve të shumtë në Republikën në jug të Gjermanisë. E, në anën tjetër, sidomos politikanët e partisë në pushtet (CSU) janë ata që nga migrantët kërkojnë integrim më të shpejtë.

Fatmirësisht, edhe në Bavari ka shumë shembuj të mire, ku komunat, institucionet dhe shoqatat e ndryshme bëjnë punë të madhe në integrimin e të huajve. Këshilli për migrantë dhe integrim i qytetit të Bambergut në dekadat e fundit ka luajtur një rol të rëndësishëm në këtë drejtim. Banorët e këtij qyteti në veri të Bavarisë, i cili është i njohur për katedralen e tij të bukur, vijnë nga 121 vende të ndryshme të botës. „Kjo llojllojshmëri është pasuri e madhe e qytetit tonë dhe qëllimi ynë është që me organizime të ndryshme ta ruajmë multietnicitetin e qytetit tonë”, flet Mohamed Hédi Addala, kryetar i Këshillit. Dihet se sporti bashkon njerëzit dhe ky këshill organizon për më tepër se dy dekada një turnir futbolli si dhe një festë për gjithë familjen. Vikendin e kaluar u hap edicioni i 13-të i këtij manifestimi shumë të popullarizuar që mbahet çdo dy vjet. Edhe në deklaratën për media të Komunës së Bambergut thuhet se “ky turnir ka një rëndësi të madhe në ruajtjen, por edhe thellimin e marrëdhënieve në mes të kulturave të ndryshme që jetojnë në qytetin tonë”. Nën patronazhin e kryetarit të Komunës së Bambergut, z. Andreas Starke, nga partia SPD, u mblodhën rreth 300 futbollistë në 20 ekipe, të cilat gjatë dy ditëve zhvilluan ndeshje interesante. Spanja, Angola, Algjeria, Kosova etj., por edhe ekipe gjermane, siç ishte ekipi i Komunës së Bambergut,  i cili kapiten e kishte kryetarin z. Starke, luftuan për çdo top dhe çdo gol, por gjithmonë në suaza të Fair Play-it dhe në frymën e motos së turnirit „Fair Play – të gjithë së bashku, e jo kundër njëri-tjetrit”.

Pjesëmarrës i rregullt i këtij turniri është edhe komuniteti shqiptar, i cili edhe kësaj radhe pati paraqitje të mirë si në fushë, po ashtu edhe jashtë saj. „Rreth 20% e qytetarëve të Bambergut jane migrantë. Qyteti ynë është ndoshta shembull për krejt Gjermaninë për bashkëjetesë të mirë. Ky organizim tregon më së miri harmoninë në  të  cilën  jetojmë”, flet z. Florim Gashi, aktivist i njohur në Bamberg dhe rrethinë. „Komuniteti ka marrëdhënie shumë të mira edhe me organet komunale. Ne përfaqësojmë kombin tonë në çdo organizim që bën qyteti për të huajt”, vazhdon z. Gashi, i cili u nda i kënaqur edhe me rezultatin e djelmoshave shqiptarë që u paraqitën me emrin FC Kosova. Mysafir në këtë turnir ishte edhe ish-lojtari i Bundesligës gjermane dhe i Kombëtares së

Shqipërisë, Bekim Kastrati, të cilit i la përshtypje atmosfera në këtë turnir. „Me të vërtetë ndihem mirë këtu. Erdha si mysafir në Bamberg, por ja që edhe luajta pak me bashkëkombësit e mi”, flet Bekim Kastrati.

Ekipi FC Kosova u rendit i treti, ndërsa sulmuesi i tij, Shaban Rugovaj, u zgjodh golashënuesi më i mirë i turnirit. Por rezultatet ishin dytësore në këtë turnir, sepse fitues ishin të gjithë.
Dashuria për futbollin theu të gjithë kufijtë politikë, socialë, kofesionalë e kulturorë, duke bashkuar kështu qytetarët e Bambergut të kalojnë së bashku një fundjavë të mrekullueshme.