Flamujt shqiptarë për kombëtaren zvicerane

Të vetmit flamuj, përveç atyre të Zvicrës me kryqin e bardhë, aty kishin vend edhe flamujt shqiptarë, kuq e zi, me shqiponjë

Se ndeshja e përfaqësueses zvicerane kundër asaj bjelloruse, e fituar 3:0 mbrëmë në kuadrin e Kampionatit Evropian të futbollit U21 ishte edhe në shenjë të shqiptarëve, nuk ka asnjë dilemë. Këtë e kanë vënë re të gjithë ata që kanë shikuar tribunat, pjesën e fansëve zviceranë.

Të vetmit flamuj, përveç atyre të Zvicrës me kryqin e bardhë, në atë pjesë të stadiumit kishin vend edhe flamujt shqiptarë, kuq e zi, me shqiponjë.

Kjo u ka rënë në sy edhe reporterëve të portalit zviceran 20Minuten.ch, të cilët e kanë komentuar këtë si një shenjë mbështetje për Shaqirin e Mehmedin me shokë.

Janë gjithsej pesë futbollistë shqiptarë që luajnë për kombëtaren zvicerane U21: Shaqiri, Mehmedi, Xhaka, Abrashi dhe Kasami. Së paku tre të parët, janë ndoshta më meritorët për mbërritjen e Zvicrës në gjysmëfinale.

Po kaq, pesë futbollistë shqiptarë, janë aktualisht edhe në skuadrën A të përfaqësueses zvicerane. tre prej tyre luajnë njëkohësisht edhe në U21: Shaqiri, Mehmedi e Xhaka, plus dy veteranët: Behrami e Xhemajli.