Futboll

Finalja sonte, Kosova synon kualifikimin historik

Finalja sonte në “Fadil Vokrri”: Kosova synon kualifikimin historik ndaj Turqisë

Kosova dhe Turqia do të përballen sonte në ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në finalen e “play-offit” për kualifikim në Kupën e Botës 2026, në një duel që pritet të vendosë historinë për “Dardanët”, përcjell albinfo.ch.

Kosova do të luajë sonte një nga ndeshjet më të rëndësishme të viteve të fundit, teksa pret Turqinë në finalen e “play-offit” për kualifikim në Kupën e Botës 2026.

Takimi zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku pritet një atmosferë e jashtëzakonshme me përkrahje masive të tifozëve vendas. Për Kombëtaren e Kosovës, kjo sfidë përfaqëson një mundësi historike për të siguruar kualifikimin e parë ndonjëherë në një Kampionat Botëror.

“Dardanët” vijnë në këtë përballje me moral të lartë pas fitores dramatike ndaj Sllovakisë, ku treguan karakter dhe vendosmëri në një ndeshje vendimtare. Forma e mirë dhe rezultatet pozitive në shtëpi nën drejtimin e trajnerit Franco Foda kanë rritur besimin se Kosova mund ta arrijë objektivin e madh.

Në anën tjetër, Turqia paraqitet si një kundërshtar i fortë, me një skuadër cilësore dhe përvojë ndërkombëtare, ku shumë nga lojtarët e saj aktivizohen në ligat më të forta evropiane.

Përballja pritet të jetë e tensionuar dhe me intensitet të lartë, ndërsa Kosova do të synojë të shfrytëzojë avantazhin e fushës dhe mbështetjen e publikut për të shkruar një kapitull historik në futbollin kosovar./Albinfo.ch