Shkurt.ch

Fillon Forumi Ekonomik Botëror i 44-t me radhë në Davos

Rreth 2.500 udhëheqës politikë dhe biznesorë janë mbledhur në Davos të Zvicrës për Forumin Ekonomik Botëror

Në Davos pritet të vijnë më shumë se 40 shefa të qeverive, duke përfshirë edhe kryeministrin australian, Tony Abbott, i cili kryeson grupin G20, presidentin brazilian Dilma Rousseff, kryeministrat britanik dhe japonez, David Cameron dhe Shinzo Abe.

Në Forumin e sivjetëm marrin pjesë edhe presidenti i Iranit, Hassan Rohani dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, do t’i bashkohet Forumit të premten.

Temat kryesore të këtij edicioni të Forumit Ekonomik Botëror janë konflikti në Siri, ndryshimi i klimës, rimëkëmbja ekonomike, rritja e hendekut mes të pasurve dhe të varfërve dhe kriza në Ukrainë.
Forumi i Davosit zgjat deri më 25 janar dhe mbahet në të njëjtën kohë kur negociatat janë duke u zhvilluar në Montreux të Zvicrës për të zgjidhur konfliktin në Siri në kuadër të konferencës Gjeneva 2.

Siç raporton Reuters, në mesin e 2.500 pjesëmarrësve nga njëqind vende janë fitues të çmimit Nobel, personalitete fetare dhe përfaqësues të sindikatave dhe OJQ-ve.

Këtë vit Forumi në Davos do të presë një numër të udhëheqësve të kompanive multinacionale, Marissa Mayer, drejtor i Yahoo-s në SHBA dhe Joseph Jimenez, drejtor i kompanisë farmaceutike zvicerane «Novartis».

Forumi në Davos është themeluar në vitin 1971, mund të quhet ndryshe edhe si një “laborator i ideve”, i cili do të diskutojë çështje të rëndësishme që ndikojnë në të ardhmen e botës. Pas krijimit të tij është bërë një pjesë e domosdoshme e kalendarit politik dhe ekonomik vjetor.

WEF përshkruan veten si “një organizatë e pavarur ndërkombëtare angazhuar për përmirësimin e gjendjes së botës, e cila duke përmendur figurat kryesore politike, akademike dhe të tjera të shoqërisë ndihmon në krijimin e agjendave globale, rajonale dhe ekonomike.

Për sigurinë e pjesëmarrësve në këtë Forum do të kujdesen  3.000 ushtarë zviceranë.