Kosova

Fillojnë ikjet e kosovarëve drejt BE-së (VIDEO)

Mediet kosovare raportojnë për një eksod të ri të kosovarëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Sipas tyre, dhjetëra qytetarë kanë marr rrugë drejt Serbisë duke pasur për synim vendet e BE-së. KosovaPres jep detaje për këto ikje, ndërsa albinfo.ch e jep të plotë storien.

Në autobusin e linjës Dragash-Beograd nuk kishte vend për të ulur. Një grua nga Peja  bashkë me dy fëmijët e saj nuk gjeti karrige në autobus. Ajo mendon që deri në Beograd të shkojë ashtu në këmbë dhe për KosovaPress tha se e ka marr rrugën për  Gjermani bashkë me bashkëshortin dhe fëmijët.

“Po ikim për Gjermani”, tha gruaja pa dashur që të identifikohet. Poshtë autobusit me lot në sy djalin, renë bashkë me fëmijë i përcolli  Flroim Morina nga Peja.

Duke u uruar rrugë të mbarë Morina ka treguar se përveç djalit me familje e ka përcjellur edhe vëllain me gruan dhe katër fëmijë.

“E përcolla djalin me gru dhe fëmijë edhe vëllain. Prej shtëpisë time 11 veq shkun. Të gjithë po shkojnë, këtu nuk ka punësim, zhvillim dhe kena met qashtu. Po shkojnë e kanë marr botën në sy..E kanë pas një autolarje të vogël dhe e panë që këtu s’ka punë”, tha Florim Morina nga Peja.

Në Stacion të Autobusëve përveç djemve të rinj kishin dal edhe disa burra të moshuar. Sabit Salihu tregoi se ka dal vetëm për të parë se çka po ndodhë ndërsa tha se dëshirë për të ikur ka edhe djali i tij por që nuk do ta lejojë të ikë nga Kosova. Megjithatë ai tha se të rinjve u ka humbur shpresa për jetë.

“Kjo është për me kajt bre..kjo rini me lshu vendin..edhe djali  dojke me shku por unë nuk po e lshoh. Për qata dola me kqyr qka po bahet. Vërtetë kjo është për me kajtë. Të punësum askënd nuk e kam në punë të shtetit. Këta i kanë punësuar edhe tezet e veta.Pse nuk i zgjedhim njerëzit e mirë që i duhen Kosovës, por zgjidhet Pacolli nme dy deputetë. Kjo është tradhti”, tha Salihu.

Rrugën për ikje e ka marr edhe Naser Bytyqi nga Lipjani. Ai tha se nuk ka tjetër zgjidhje përveq të ikë nga vendi pasi që familjen e mban me hekura që mbledh nëpër bërllog.

Bytyqi tha se shkaktari kryesor është politika e keqe dhe keqqeverisja.

“Po e lëshoj sepse nuk ka punë ktu..60 euro rrymë i paguaj. Kam me shku kurrë mos mu kthy.. Jeta shumë e vështirë me hekra punoj nëpër pazare. I kam 6 anëtarë veç unë punoj. Arsye pe lshoj Kosovën është papunësia. Veq 300 euro te kisha pas rrogën kurrë s’kisha ikë. Pa punë pa asgjë…”, tha Bytyqi.

Ndërsa i riu nga Ferizaj Fatlum Bytyqi tha se nuk do të rrezikonte të ikte në të zezë por që ka dal të mësojë më shumë nga kureshtja.

“Jam dal me kqyr e pash në televizione që po dalin.Dola me kqyr rinia pse po ecin…nëse më ipet mundësia me vizë kisha shku ama kështu ilegalisht jo”, tha Fatlum Bytyqi nga Ferizaj.

Përveç udhëtarëve në Stacion të Autobusëve u panë edhe pjesëtarë të Policisë, të cilët gjatë ditës së martë kanë thënë se nuk është e vërtetë se ka njerëz që po ikin nga Kosova.