Lajme

Fermerët zviceranë të shqetësuar nga konkurrenca e djathit amerikan

Fermerët dhe prodhuesit zviceranë të djathit kanë shprehur shqetësim të madh ndaj mundësisë së një marrëveshjeje tregtare me Shtetet e Bashkuara, që do të parashikonte heqjen e tarifave doganore mbi importin e djathit. Sipas raportimeve nga mediat zvicerane, megjithëse një propozim i tillë është shqyrtuar nga autoritetet federale, ai nuk është më në tryezën e negociatave.

Departamenti Federal i Ekonomisë, Arsimit dhe Kërkimit ka konfirmuar se liberalizimi i tregtisë së djathit me SHBA nuk është aktualisht në axhendën zyrtare, në përpjekje për të qetësuar reagimet brenda sektorit bujqësor.

Pavarësisht kësaj, përfaqësues të industrisë vendase paralajmërojnë për rreziqe konkrete. Kevin Vonlanthen, drejtor i kompanisë Fromages Gruyère SA, deklaroi se producentët nuk janë përfshirë në diskutimet dhe shprehu frikën se djathi amerikan, me kosto më të ulëta prodhimi, mund të përbëjë një kërcënim për tregun zviceran.

“Ka djathë cilësor edhe në SHBA. Një rritje e importeve nga atje mund të dobësojë seriozisht prodhimin vendas,” tha Vonlanthen.

Zvicra është një nga prodhuesit më të njohur të djathit në Evropë, me emra të mbrojtur si Gruyère AOP, dhe çdo ndryshim në politikat tregtare ngjall reagime të forta në sektorin bujqësor.