Lajme

Fëmijët, të izoluar për t’i shpëtuar gjakmarrjes

Këta fëmijë nuk mund të studiojnë ose të regjistrohen në një klub të futbollit, ose të marrin pjesë në orët e muzikës. Familja është e mbyllur në një cikël vrasjesh dhe hakmarrjesh që është trashëgimi e tyre. Ata fshihen në një shtëpi të mjerueshme, duke pritur "hakmarrësit", të cilët mund të veprojnë ose nesër, ose dhjetë vjet më vonë...

Ata jetojnë në varfëri, shpesh nuk shkojnë as në shkollë nga frika se do të vriten. Gazeta frankofone “Le Matin” përshkruan situatën e tmerrshme dhe të mjerueshme, kur fëmijët shqiptarë jetojnë të izoluar për t’i ikur gjakmarrjes. Albinfo.ch sjell këtë shkrim edhe në shqip.
Klevis, 13-vjeçar, dëshiron të bëhet mjek, vëllai i tij, Alberti, 11 vjeç, ministër i Drejtësisë. Marcel, 13 vjeç, e paramendon veten këngëtar më vonë dhe Taulant, 13 vjeç (nëna e të cilit kërkoi që t’i ndryshojmë emrin), ëndërron të jetë futbollist. Ata “mund të jenë vrasësit e së nesërmes”, tregon Gjin Marku i Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar, një OJQ që mundohet të zgjidhë mosmarrëveshjet familjare.
Të takuar nga agjencia frankofone  e lajmeve AFP afër Shkodrës, këta fëmijë nuk mund të studiojnë ose të regjistrohen në një klub të futbollit, ose të marrin pjesë në orët e muzikës. Familja, thotë Klevis, është e mbyllur në një cikël vrasjesh dhe hakmarrjesh që është trashëgimi e tyre.
Ata fshihen në një shtëpi të mjerueshme, duke pritur “hakmarrësit”, të cilët mund të veprojnë ose nesër, ose dhjetë vjet më vonë. Sipas “Kanunit”, kodi civil mesjetar i maleve veriore, ata mund të vriten, kur ata do të arrijnë në moshën për të mbajtur një armë. Por, ndoshta, po këta fëmijë do të bëhen edhe ata “gjakmarrësit” e së nesërmes, shpjegon albinfo.ch.
Këto familje jetojnë “me idenë se do të vriten ose se ata do të vrasin”, shpjegon kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi. Por, më shumë se “Kanuni”, Gjin Marku akuzon pakujdesin publik, “kur institucionet nuk funksionojnë, kur sistemi ligjor dështon, këta njerëz nuk gjejnë zgjidhje të tjera për t’i zgjidhur problemet e tyre”.
Nga frika për reputacionin e një vendi kandidat në Bashkimin Evropian, autoritetet janë të gatshme për të dhënë shifra. “Është shkatërruar imazhi i Shqipërisë, duke pretenduar se problemi nuk ekziston”, thotë i inatosur Avokati i Popullit, Igli Totozani. Në një raport të prillit ka vlerësuar se “66 familje, pra gjithsej 157 persona, duke përfshirë 44 fëmijë, mbeten të vetmuar”, 57 familje prej tyre janë pranë Shkodrës. Ankesat janë të rralla, sipas raportit.
Ndërsa ai vë në dukje një rënie të vazhdueshme të fenomenit, Gjin Marku përmend 190 fëmijë, prej të cilëve 80 janë me pamundësi shkollimi. Shoqata të tjera shkojnë përtej këtyre shifrave, por ato bëjnë deklarata të rreme për të favorizuar statusin e refugjateve jashtë vendit.
Kërcënimi është i vërtetë në këtë vend, ku, sipas vlerësimeve, më shumë se 500,000 armë zjarri janë në qarkullim. Liliana Luani, një mësuese, e cila vullnetarisht jep mësim në shtëpi, pohon se dy nga nxënësit e saj tashmë kanë vdekur.
Mes tyre, Maria Quku, 16-vjeçare
Rënë në një fushë më 14 qershor 2012, para vëllait të saj të vogël, Marcel, i prekur po ashtu nga plumbat e armës së zjarrit, plumba që ndoshta ishin për gjyshin e saj, të cilin ajo po vizitonte. Lajmin e vdekjes së fëmijës së saj më të madh (prej pesë fëmijëve), Manushaqe Quku, 40-vjeçare, e mori kur burri i saj e pyeti të zgjedhë fustanin për trupin e vogëlushes.
Krimi i Maries? Ajo ishte kushërira e një personi, i cili kishte vrarë dikë në vitin 2010 për një lumë. Në një ish-vend me një të kaluar kolektiviste, ku një pjesë e kadastrës shkoi në tym gjatë anarkisë së viteve 1990, toka është shpesh shkas për “gjakmarrje”.
Manushaqe Quku jeton poshtë një udhe guri, në një shtëpi të mjerë, ku fotot e Maries zbukurojnë muret. Burri i saj është në shënjestër të gjakmarrjes, por nuk është aty. Djali i saj i parë, Marian, fshihet diku tjetër. Ndërsa Marcel rri me nënën. Ata merren me kopshtin e tyre së bashku për t’u përgjigjur nevojave të jetesë së familjes. Marcel refuzon të shkojë në shkollë dhe nëna e tij i ndalon të shkojë të notojë në liqen, 200 metra më larg. “Unë e di se do të bëj një djalë të mbyllur, por unë kam shumë frikë për të”, tregon ajo.
Mësuesja Liliana Luani ndonjëherë e thyen këtë mbyllje.
“Taulanti” dhe nëna e tij
Babai i tij u bë një vrasës në vitin 1995, gjatë një “grindjeje”, thotë nëna e Taulantit. Ai rri i fshehur në male me dy djemtë e mëdhenj, 16 dhe 17 vjeç. Dy-tre herë në muaj “Taulanti” shkon në shkollë. Atje ka njohur një shoqe, për të cilën buzëqesh dhe i vjen turp kur e pyesin për të. Ai së shpejti do t’u bashkohet vëllezërve dhe babait në mal.  “Gjakmarrja peshon mbi supet tona”, pohon nëna.
Igli Totozani shpjegon se këto krime nuk janë “një çështje e traditës”. “Aty ku shteti nuk është i pranishëm, hyn në fuqi hakmarrja”. “Familja jonë është plotësisht e humbur”, thotë duke qarë Manushaqe Quku. Ajo dëshiron të dijë se kush e vrau vajzën e saj. Ajo qan, ndërsa Marcel e përqafon. “Është shumë e vështirë të falet një akt i tillë”, thotë ajo.