Kosova

Familja e Liridona Ademajt nuk e di prokurorin e rastit që po heton vrasjen e saj

Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt, që u vra më 29 nëntor në Prishtinë, ka thënë se familja e viktimës nuk është njoftuar nga Prokuroria se cili është prokurori i rastit.

“Ju njoftojmë se sapo i jemi drejtuar prokurorisë për një takim urgjent që të informohemi rreth rastit të vrasjes së më të dashurës tonë, Liridona Ademaj. Ne jemi thellësisht falënderues për punën e bërë deri më tani nga policia dhe prokuroria. Mirëpo, jemi të shqetësuar që deri më tani prokuroria nuk ka kontaktuar fare me neve. Ne ende zyrtarisht nuk jemi informuar se kush është prokuror i rastit dhe informacionet e vetme i kemi nga raportimet në media”, ka shkruar ai.

Ademaj ka kërkuar që familja të jetë e informuar, e drejtë e cila, sipas tij, u garantohet me ligj.

“Ne duam të sqarojmë që nuk kërkojmë qasje në informacione konfidenciale, mirëpo kërkojmë që si familjarë të jemi të informuar, e drejtë kjo e garantuar ligjërisht”, ka shkruar më tej ai krah dokumentit, ku tregohen kërkesat për Prokurorinë, përcjell albinfo.ch.