Lajme

Falja e Ivanovit, trazon Maqedoninë

Vendimi i presidentit Gjorgje Ivanov për amnistimin e politikanëve maqedonas, konsiderohet i papërgjegjshëm. Opozita ngritët në protesta

Duke shfrytëzuar hapësirën ligjore e Kushtetuese, presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov ka firmosur një “ferman” me të cilin i amniston të gjithë politikanët të cilët janë nën hetime, ndaj të cilëve është ngritur procedure hetimore apo janë duke vuajtur dënimin me burg. Ky vendim ka trazuar opinionin politik vendor e ndërkombëtar në këtë shtet.

Vendimi i presidentit Ivanov, konsiderohet skandaloz dhe i papërgjegjshëm, ndërsa menjëherë janë organizuar protesta kundër tij.

Vendimi i Ivanovit parasheh ndërprerjen e të gjitha procedurave, përfshirë edhe ato të Prokurorisë Speciale që po zhvillohen kundër ish-ministres së brendshme Gordana Jankullovska, ish-ministrit të transportit, Mile Janakievski dhe një grupi zyrtarësh të lartë të Ministrisë së Brendshme të dyshuar për vepra kriminale. Ivanov ka amnistuar edhe kryetarin e LSDM-së, Zoran Zaev dhe ish-ministrin e Brendshëm në vitin 2001, Ljube Boshkovski..

Ivanov theksoi se është i përgatitur që t’i pranoje të gjitha kritikat pas këtij vendimi, të cilat do të vijnë me siguri në adresë të tij, por është i bindur se “ka ndërmarrë një vendim të drejtë”.

Pas vendimi, qindra qytetarë kanë protestuar përpara Qeverisë së Maqedonisë duke brohoritur “nuk ka drejtësi nuk ka paqe”, “shtet mafioz” e shumë thirrje tjera, citon AlsatM. Protestës iu janë bashkëngjitur edhe zyrtarët e lartë të LSDM-së, madje edhe vet lideri i “amnistuar”, Zoran Zaev.

“Grushtshtet ndaj Maqedonisë. Vendimi i Ivanovit është tentim për shpëtim nga krimi dhe korrupsioni që i kanë bërë shtetit. Ivanov u bë pjesë e krimit. Prej sot nuk ekziston shteti i së drejtës. Shkelen Ligjet, Kushtetuta, qytetarët e Maqedonisë. Sot e varrosën Marrëveshjen e Përzhinës. Prej sot bashkë me qytetarët do ta kthejmë dinjitetin e shtetit”, tha Zaev.

Lideri opozitar kërkoi nga Ivanov të jap dorëheqje. “Kuvendi duhet të mblidhet dhe të debatoj rreth vendimit të Ivanovit”, deklaroi Zoran Zaev, sipas të cilit, kriminelët duhet të përgjigjen për krimet e bërë.

“Unë Zoran Zaev do tu prijë qytetarëve në luftën për një Maqedoni demokratike. Ose Gruevski ose Maqedonia. Ivanov ka sqaruar një dilemë, duhet të fitoj dhe do të fitoj Maqedonia. Mesazhi për protesta besoj se u përcoll tek qytetarët”, tha Zaev para protestuesve.

Pas vendimit të presidentit Gjorgje Ivanov, ka reaguar edhe lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, duke e quajtur Ivanovin “të ashtuquajtur president”.

Sipas Ahmetit, Ivanovi vetëm sa e thellon krizën politike në vend, cenon Marrëveshjen e Shkupit dhe komprometon imazhin e shtetit karshi ndërkombëtarëve.

“I ashtuquajturi President Ivanov duhet ta tërheq vendimin e tij menjëherë per arsye se një vendim i tillë i nxituar dhe i pamenduar cenon Marrëveshjen e Shkupit, provokon thellimin e krizës politike në vend, komprometon imazhin e shtetit dhe të arriturat e përbashkëta të forcave vendore dhe ndërkombëtare”, thotë Ahmeti.

Ndërkaq, diplomatët ndërkombëtarë të akredituar në Maqedoni janë shprehur habi nga vendimi drastik i kreut të shtetit. Pavarësisht se në reagimet e tyre kërkohej sqarim shtesë, SHBA-ja dhe Britania e Madhe thanë se vendimi është shumë shqetësues për demokracinë e vendit.

“Po kërkojmë detaje dhe sqarime të mëtejshme. Deklarata e presidentit gjithsesi ngre shqetësime serioze rreth angazhimit të Maqedonisë për mbisundimin e të drejtës”, theksuan nga Ambasada e SHBA-ve.

“Deklarata e presidentit gjatë pasdites duhet të sqarohet. Për sa kohë që vendimi për të falur politikanë, vlen edhe për hetimet ndaj akuzave të paraqitura në materialet e përgjuara, kjo do të ishte shumë shqetësuese. Hetimi i plotë i këtyre akuzave dhe procesi i duhur ligjor, janë elemente thelbësore nga Marrëveshja e Përzhinës. Si të tilla, ato janë të rëndësishme për ‘do zgjidhje reale të krizës aktuale politike”, njoftojnë nga Ambasada e Britanisë.