Lajme
“Fabrika e shpirtit”, poezia që shpërthen kornizat e ngurta të një libri
Më 30 korrik, në oborrin e një vile historike në qytetin Altstätten të St. Gallenit, Shqipton Rexhaj ka bërë promovimin e vëllimit të tij më të ri, “Fabrika e shpirtit”

Shqipton Rexhaj nuk është emër i panjohur në skenën letrare dhe muzikore (në gjuhën gjermane) të Zvicrës lindore. Ai është i pranishëm në këtë skenë, që nga viti i largët 1997, kur, si adoleshent, kishte publikuar vëllimin e parë me poezi “Der Einsame Weg” (Rruga e vetmuar), për të vazhduar pastaj me librin tjetër “Heimat der Heimatslosen” (Atdheu i të pastrehëve) (2004) dhe së fundi, me librin më të ri, po ashtu vëllim poetik “Die Seelenfabrik” (Fabrika e shpirtit). Periudhën (e gjatë) në mes të këtyre tre librave poetikë, Shqiptoni e ka përmbushur me një krijimtari intensive muzikore. Ai është i njohur për krijimin dhe interpretimin e një muzike rap që shquhet për angazhim të fortë shoqëror.
Më 30 korrik, para një publiku të zgjedhur, në oborrin e një vile historike në qytetin Altstätten të St. Gallenit, autori Rexhaj ka bërë promovimin e vëllimit të tij më të ri, “Fabrika e shpirtit”. Ky ambient, sikur i krijuar për të shijuar artin, i shkonte më së miri atmosferës së librit, që siç e ka theksuar në fjalën e tij prezantuese autori është “një libër që nuk mund të planifikohet. Jo, nëse është i vërtetë. Sepse ç’ është shkruar këtu nuk është rezultat i një qëllimi, por gjurma e një gjendjeje”.
Më tutje, drejt kuptimit dhe frymës së këtij libri të veçantë, publikun e ka drejtuar përmes recensionit të tij, botuesi i librit të promovuar, Christian Imhof (Qultur Verlag): “Ky libër më bëri për vete menjëherë me dendësinë e tij gjuhësore, tensionin e tij të brendshëm dhe menjëhershmërinë me të cilën flet. Rexhaj ka një zë krejt të vetin. Dhe me “Fabrika e Shpirtit”, ai paraqet librin e tij më të fortë. Libra të tillë janë të rëndësishëm për të thyer tabutë, për diskutim, për të na kujtuar se gjuha mund të arrijë diçka edhe aty ku mungojnë mjete të tjera”, ka thënë veç tjerash Imhof.
Një vështrim mbi librin e promovuar e ka lexuar poeti dhe njohësi i mirë i veprës së Rexhajt, Isuf Sherifi. “`Fabrika e shpirtit`është një përmbledhje që shkon përtej poezisë është një protokoll poetik i një krize, një klithmë e brendshme, një proces vetëqartësimi. Temat qendrore si lodhja, identiteti, migrimi dhe presioni shoqëror përshkojnë librin si një fill i kuq të mishëruara në metaforën e fuqishme të fabrikës, ku forma e Un-it ngurtësohet: nën nxehtësi shpirtërore, fërkime dhe lëvizje të vazhdueshme. Gjuha e tij të fton të reflektosh dhe të sfidon të merresh me fabrikën tënde të brendshme.
Një nga nxitjet për këtë libër ishte përvoja personale e lodhjes dhe “djegies” së brendshme ekstreme (burnout) – një “kolaps” që e detyroi të tërhiqej, por që i hapi hapësirën për reflektim. Gjatë kësaj periudhe lindi “Fabrika e Shpirtit” si përpjekje për t’i dhënë formë dhimbjes dhe për të gjetur rrugën e kthimit tek vetvetja”, thuhet veç tjerash në vështrimin e Isuf Sherifit.
Vetë autori i librit të promovuar, Shqipton Rexhaj ka shpalosur me një fjalë emocionuese dhe të sinqertë frymëzimin dhe motivin që qëndron në themelet e këtij libri, jo të zakonshëm, një libër që del jashtë kornizave të librave të programuar apo të projektuar. “Fabrika e Shpirtit nuk ishte kurrë projekt. Ishte ajo që mbeti, kur asgjë më nuk funksiononte – dhe papritur qëndron përballë vetes, pa justifikim, pa maskë, pa arratisje”, ka thënë ai, për të vazhduar: “Fabrika e Shpirtit nuk është vepër. Është klithmë. Rrëfim. Përpjekje për të qëndruar drejt në një jetë që ndonjëherë të copëton – por që sërish ia vlen. Kam shkruar sepse ndryshe nuk mundesha…”.
Leximi nga libri dhe lidhur me këtë libër është ndërthurur bukur nga muzika me kitarë: artistja Manu Oesch ka interpretuar me mjeshtri dhe emocion, tri pjesë nga projekti muzikor Rexeye – të reduktuara, koherente, të përmbajtura.
Para dhe pas promovimit, është zhvilluar një debat spontan në mes të autorit, botuesit dhe të pranishmëve.
Promovimi i librit “Fabrika e shpirtit” ishte një aktivitet simpatik, pa shumë pretendime por i përgatitur mirë dhe me përkushtim, në të gjithë segmentet e tij.
Biografi e shkurtër e autorit të librit
Shqipton Rexhaj ka lindur në vitin 1981 në Prishtinë. Për shkak të përndjekjes së prindërve të tij, Kadri dhe Hale Rexhaj, ai, bashkë me prindërit qe detyruar të strehoheshin në Zvicër në vitin 1986.
Nën emrin artistik REXEYE, ai është zhvilluar edhe muzikalisht: në vitin 2006 doli me një album, ndërsa në vitin 2013 mori pjesë në zgjedhjen paraprake zvicerane për Eurovisionin bashkë me Dave Fryman (DFREX) – duke përfaqësuar Zvicrën.
Ndërmjet viteve 2020 dhe 2025, Shqiptoni publikoi disa single, si dhe një trilogji përmbyllëse në formë EP-je: 1986, «Eifach Toni» dhe III – përfshirë këtu edhe këngën “Stay” në shkurt 2025, me tekste që flasin për forcën e brendshme dhe vetë-pohimin.
Në vitin 2005, mori «Çmimin për mbështetje kulturore» të Kantonit St. Gallen.
E-Diaspora
-
“Tri Net Film Fest” kthehet për herë të katërt në Freienstein “Tri Net Film Fest 2025: Një udhëtim në botën e filmit të shkurtër...
-
22-vjeçari shqiptar arrestohet në Britani, kapet në shtëpi me fermë kanabisi
-
Marigona Qerkezi shkëlqen në skenën ndërkombëtare të Helsinkit
-
Tiranë
Florian Haçkaj, një zë nga diaspora për drejtimin e Bashkisë së Tiranës
-
“Çka Ka Qëllu” mirëpret Kryeministrin Albin Kurti dhe bashkëshorten e tij
Jeta në Austri
-
Mashtrues në Vjenë: Paraqiten si punonjës uji për të vjedhur apartamente Policia e Vjenës paralajmëron për mashtrues që shënjestrojnë apartamentet...
-
Tronditëse: Foshnje e porsalindur gjendet e vdekur në çatinë e një garazhi në Graz
-
Rregulla të reja për punonjësit e pavarur në Austri nga viti 2026
-
Austri: Promovohet romanit autobiografik „KREUZTANNE“ nga Fate Velaj
-
Ambasadori Fate Velaj më 23 shtator përuron romanin „Kreuztane” në Traiskirchen të Austrisë