Bota
Evropianët përgatitin armëpushimin për luftën në Ukrainë
Konferenca në Londër tani ka marrë një rëndësi të re që nga ky konfrontim në Zyrën Ovale dhe ringjallja e raportit mes Trumpit dhe Zelenskyt me gjasë do të jetë pikë kryesore e agjendës
Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Ukraina po punojnë për një plan armëpushimi që më pas t’ia dërgojnë Shteteve të Bashkuara. Kështu tha më 2 mars kryeministri britanik, Keir Starmer, teksa udhëheqësit evropianë u mblodhën për bisedime në Londër pas vizitës katastrofike të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Uashington më herët gjatë kësaj jave.
“Mbretëria e Bashkuar së bashku me Francën, dhe ndoshta me një apo dy të tjerë, do të punojnë me Ukrainën mbi një plan për të ndalur luftimet dhe më pas ne do ta diskutojmë atë plan me SHBA-në”, tha Starmer për BBC-në.
Starmer po ashtu theksoi se çdo marrëveshje e paqes për Ukrainën do të kërkonte që SHBA-ja të japë garanci të sigurisë, që është një nga pikat që Zelensky dhe Trump u përplasën gjatë takimit të tyre në Shtëpinë e Bardhë më 28 shkurt, raporton Evropa e Lirë, transmeton albinfo.ch.
“Unë gjithmonë kam qenë i qartë se do të duhet një siguri e SHBA-së sepse nuk mendoj se mund të garantohet pa të”, tha Starmer për BBC.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, janë në mesin e dhjetëra udhëheqësve evropianë që iu bashkuan Starmerit dhe Zelenskyt për bisedime në Londër.
Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, dhe ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, po ashtu po marrin pjesë në samitin e sigurisë.
Një ditë më herët, kryeministri britanik mirëpriti Zelenskyn në zyrën e tij dhe pas takimit u njoftua për një hua në vlerë prej 2.84 miliardë dollarësh për Ukrainën.
“Kjo hua do të rrisë kapacitetet mbrojtëse të Ukrainës dhe do të rikthehet duke përdorur të ardhurat nga asetet e ngrira ruse”, deklaroi Zelensky përmes rrjeteve sociale.
Kjo nuk është një shumë që ndryshon lojën, por ofron një lloj ngushëllimi për Zelenskyn, pas përplasjes së paprecedent dhe të ashpër me presidentin amerikan, Donald Trump, pas së cilës ai u largua më 28 shkurt nga Shtëpia e Bardhë më herët seç pritej dhe duarbosh.
Konferenca në Londër tani ka marrë një rëndësi të re që nga ky konfrontim në Zyrën Ovale dhe ringjallja e raportit mes Trumpit dhe Zelenskyt me gjasë do të jetë pikë kryesore e agjendës.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, – i cili gjendet në Londër – tha se Zelensky duhet të gjejë një mënyrë për të përmirësuar raportin. Ende është e paqartë se diçka e tillë është e mundur të arrihet. Por, Trump deklaroi se Zelensky mund të kthehej “kur të dëshirojë paqe”.
Para konferencës, Starmer takoi ndarazi me kryeministren italiane, Giorgia Meloni. Ajo mund të jetë figurë e rëndësishme në përpjekjet e Evropës për të bindur Uashingtonin se ka nevojë për mbështetje të Ukrainës.
Një mbështetëse e Ukrainës, Meloni po ashtu është ideologjikisht e afërt me Trumpin dhe ai e ka lavdëruar udhëheqësen italiane.
Edhe para vizitës së Zelenskyt në Uashington, udhëheqësit evropianë kanë treguar se ka urgjencë që ata ta bëjnë veten të rëndësishëm për administratën e Trumpit.
Kjo u nxit nga deklaratat e zyrtarëve të lartë amerikanë që sugjeruan se Evropa nuk do të përfshihet drejtpërdrejtë në negociatat për paqe në Ukrainë dhe për shkak të shenjave se SHBA-ja dhe Rusia po përmirësojnë raportet.
Bisedimet e tjera paraprake të krizës janë mbajtur në Paris javën e kaluar dhe ato u përqendruan në atë nëse Evropa mund të krijojë një forcë paqeruajtëse që do të dislokohej në Ukrainë pas një marrëveshjeje armëpushimi apo të paqes, por edhe për arritjen e synimeve për të rritur shpenzimet për mbrojtjen.
Sfida e bisedimeve në Londër, pas debaklit në Shtëpinë e Bardhë, është që të arrihet diçka më e prekshme dhe më e madhe. Përveç kësaj, disa udhëheqës evropianë po shkojnë përtej asaj që vetëm të dëshmojnë vlerën e tyre për Uashingtonin. Në vend të kësaj, ata po përgatiten për skenarë të mundshme ku nuk do të mund të vareshin nga ombrella e sigurisë së SHBA-së.
Fituesi i zgjedhjeve të fundit parlamentare në Gjermani, Friedrich Merz, deklaroi një javë më parë se Evropa duhet të “pavarësohet” nga Shtetet e Bashkuara.
Pas vizitës së Zelenskyt në Uashington, ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha se do të mbështeste masa për të ndihmuar Ukrainën që “t’i bëjë ballë agresionit të Rusisë edhe nëse Shtetet e Bashkuara tërheqin mbështetjen e tyre”.
“Ky është një test historik për Evropën”, tha kryeministri çek, Petr Fiala, më 1 mars. “Ajo duhet të kujdeset për sigurinë e saj”.
Më vonë, Zelensky do të takohet me Mbretin Charles III. Edhe pse monarku britanik ka vetëm një rol simbolik, takimi shërben gjithashtu për të dërguar një mesazh politik drejt Uashingtonit.
Ftesa e Starmerit për Trumpin nga Mbreti Charles për një vizitë të dytë shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar u pa gjerësisht si një moment kyç gjatë vizitës së kryeministrit britanik në Uashington më 27 shkurt.
Takimi me Charlesin për Zelenskyn vë në pah mbështetjen e Britanisë për të dhe dëshirën e saj për të vepruar si një urë dhe paqebërës mes Uashingtonit dhe Kievit.
E-Diaspora
-
Ansambli “Arbëresha” festoi 22 vjetorin e themelimit Më 7 shkurt 2026, Ansambli “Arbëresha” kremtoi 22-vjetorin e themelimit me një mbrëmje të gjallë kulturore,... -
Policia bastis një klub shqiptar për shkak të lojërave ilegale të fatit -
Rumani
Sopranoja Besa Llugiqi debuton në Operën Shtetërore të Bukureshtit -
Itali
Tragjedi në Itali, fqinji rrëfen si u gjetën të pajetë katër anëtarët e familjes shqiptare -
Kompania shqiptare mbulon Forumin në Davos me mbi 100 vetura luksoze
Jeta në Austri
-
Raporti i Eurostat: Çmimet e shtëpive në BE janë rritur me 53% që nga viti 2010 Botimi i Eurostat-it “Strehimi në Evropë – Botimi 2025” tregon ndryshime të mëdha në kostot e... -
Austri: Këto cigare po bëhen më të shtrenjta -
Hendeku buxhetor i Vjenës për vitin 2025 u reduktua në 2.8 miliardë euro -
Studimi: Të rinjtë në Austri përdorin më pak mediat sociale, rritet përdorimi i chatbot-eve me inteligjencë artificiale -
Vjena planifikon shtëpi të mbyllura në grup për shkelësit e përsëritur nën moshën 14 vjeç











