Shkurt.ch

Eurozona rrezikohet sërish nga recesioni

Ekonomia e Gjermanisë, vendi evropian me ekonominë më të fuqishme, po tkurret dhe prodhimi industrial në eurozonë po shënon rënie

Gjermania, lokomotiva e ekonomisë së Eurozonës, tha se këtë vit pritet të ketë një rritje ekonomike më të vogël, 1.2 për qind, ndërsa rritja për vitin 2015 pritet të jetë 1.3 për qind.

Ministri gjerman i Ekonomisë, Sigmar Gabriel, tha në Berlin se ekonomia e vendit “ndodhet aktualisht në gjendje të vështirë, kur është fjala për tregtinë e jashtme”.

Por ai hodhi poshtë thirrjet nga disa vende të Eurozonës që Gjermania të heqë dorë nga shtytja që qeveria të marrë masa për zvogëlimin e shpenzimeve.

Ai tha se “shtimi i borxheve të Gjermanisë nuk krijon rritje ekonomike në Itali, Francë, Spanjë apo Greqi”.

Eurozona, që si grup përbën ekonominë më të madhe të botës, njoftoi se prodhimi industrial ka shënuar rënie në muajin gusht me 1.8 për qind, në kushtet kur ekonomia gjermane shënoi një rënie prej 4.8 për qind.