Lajme
Eskalon protesta, gaz lotsjellës ndaj protestuesve
Policia e Kosovës duke përdorur gazin lotsjellës, ka arritur t’i largojë protestuesit nga ura e Ibrit, ndërsa raportohet për disa protestues dhe të paktën një polic të lënduar
Disa qindra protestues janë përleshur me Policinë e Kosovës gjatë protestës në Mitrovicë. Ngjarja ka esklauar në kohën kur protestuesit iu afruan urës së Ibrit ku serbët lokal kanë ndërtuar një barrikadë me drunj dekorativ, ndërsa për të ndaluar përleshjen eventuale me serbët në veri, policia ka përdoruar gazin lotsjellës.
Siç raportojnë mediet në Kosovë, Policia ka arritur që protestuesit t’i largojë nga ura përafërsisht deri në 300 metra, ndërsa raportohet për disa protestues dhe policë të lënduar.
Protestuesit kanë hedhur gurë në drejtim të policisë, ndërsa kjo e fundit i është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës. Gjithashtu protestuesit kanë djegur edhe një veturë të EULEX-it, ndërsa pas përdorimit të gazit protestuesit janë larguar nga ura e lumit Ibër, që ndanë qytetin. Në anën tjetër janë tubuar qindra qytetarë serbë.
Qeveria e Kosovës nëpërmjet një komunikate, ndërkaq fton protestuesit për qetësi, maturi dhe vetë përmbajtje duke kërkuar që të mos bien pre e provokimeve nga ata që kanë për qëllim destablizimin e Kosovës.
“Qeveria e Kosovës po e përcjell me vëmendje situatën e fundit pas rivendosjes së barrikadave të reja në urën e lumit Ibër në Mitrovicë, dhe është në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë faktorët relevant për të zgjidhur këtë problem”, thuhet në komunikatë.
Qeveria e Kosovës, siç thuhet më tej, siguron qytetarët se barrikadat e reja mbi lumin Ibër do të hiqen shumë shpejtë dhe lëvizja e lirë do të sigurohet sipas Ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Marrëveshjes së Brukselit.
“Qeveria e Kosovës fton Bashkimin Evropian që të rris angazhimet për të zbatuar Marrëveshjen e Brukselit dhe që sa më shpejtë të lirohet Ura e Ibrit nga pengesat për lëvizjen e lirë, që është një prej vlerave fondamentale të Kushtetutës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian”, thotë ai.
Po ashtu, Qeveria siguron se në rast të mosefektivitetit në këtë drejtim, do të merren masat e duhura në pajtim me Kushtetutën dhe Ligjet e shtetit të Kosovës.
“Qeveria e Kosovës garanton angazhim të lartë dhe njëkohësisht kërkon prej të organeve të rendit dhe ligjit, Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it që të sigurojnë rendin dhe qetësinë për të gjithë në Mitrovicë”, thuhet në qëndrimin e Qeverisë.
—————————–
Vendosja e një barrikade të re, nga ana e serbëve, mbi urën e lumin Ibër në Mitrovicë, sërish ka kthyer trazirat ndëretnike në qytetin e minatorëve. Barrikada e vendosur me drunj dekorativ të mbjella në vazo të mëdha betoni, është quajtur “Parku i Paqes”, ndërsa ka nxitur reagime nga pala shqiptare e cila ka protestuar të dielën.
Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri ka paralajmëruar protestë për ora 15, mirëpo për t’i ndaluar incidentet e mundshme në Mitrovicë është vërejtur një numër i madh i forcave të sigurisë. Protestuesit e pakët, janë ndaluar nga forcat e rendit.
Sipas njoftimeve, në pjesën veriore të urës, vërehen karabinierët italian, përderisa në jug vërehen pjesëtarë të forcave amerikane të KFOR-it. Ndërkohë që pjesëtarët e policisë së Kosovës kanë formuar kordonët në jug të qytetit duke u asistuar edhe nga policia e EULEX-it.
“Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i do të sillen me vendosmëri dhe pa ndikim për të krijuar mundësinë që t’iu lejohet demonstruesve të sillen në mënyrë të sigurt dhe demokratike”, thuhet në komunikatë lëshuar nga këto tri komponetet që merren me sigurinë.
Protesta ishte paralajmëruar të jetë paqësore si shprehje e revoltës ndaj ngritjes së parkut barrikadë mbi urë, nga ana e autoriteteve lokale serbe nga veriu i Mitrovicës dhe Qeverisë së Serbisë. “Parku i Paqes” është ndërtuar pasi që autoritetet e Prishtinës e hoqën barrikadën e vendosur tri vjet më parë.
Ndryshe mediet në Prishtinë raportojnë se mbrëmë nga Serbia në pjesën veriore të Kosovës kanë hyrë rreth 100 pjesëtarë të xhandarmerisë serbe. Sipas këtyre burimeve, këta pjesëtarë të xhandarmerisë kanë në Kosovë pas kërcënimit të kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri se nëse nuk hiqet barrikada “do ta shihni”.
Ndryshe, që nga përfundimi i luftës, Mitrovica është e ndarë në dy pjesë. Veriu i qytetit kontrollohet nga strukturat ilegale dhe kriminale serbe dhe pjesa tjetër nga Prishtina.
E-Diaspora
-
Kompania shqiptare mbulon Forumin në Davos me mbi 100 vetura luksoze Në kuadër të World Economic Forum (WEF) 2026 në Davos, një nga ngjarjet më prestigjioze globale... -
Kosovë
Veshja tradicionale e Hasit të Prizrenit synon mbrojtjen nga UNESCO -
Amerikë
Shqiptarja hyn në histori me emërimin në administratën e lartë të SHBA-së -
Amerikë/Shqipëri
Talent shqiptar nga Amerika që po sjell ventrilokizmin në skenën shqiptare -
Mynih
Zamira Gashi, juristja shqiptare që po ndërton karrierë të suksesshme në Mynih
Jeta në Austri
-
Raporti i Eurostat: Çmimet e shtëpive në BE janë rritur me 53% që nga viti 2010 Botimi i Eurostat-it “Strehimi në Evropë – Botimi 2025” tregon ndryshime të mëdha në kostot e... -
Austri: Këto cigare po bëhen më të shtrenjta -
Hendeku buxhetor i Vjenës për vitin 2025 u reduktua në 2.8 miliardë euro -
Studimi: Të rinjtë në Austri përdorin më pak mediat sociale, rritet përdorimi i chatbot-eve me inteligjencë artificiale -
Vjena planifikon shtëpi të mbyllura në grup për shkelësit e përsëritur nën moshën 14 vjeç











