Lajme
Është mbajtur Java e Kulturës së Kosovës në Austri
Në kuadër të Javës, janë organizuar një varg manifestimesh që janë përcjell nga një numër i konsiderueshëm diplomatësh, artistësh etj.
Në ambientet e Ambasadës së Kosovës në Vjenë, përgjatë javës që shkoi, është organizuar, Java e Kulturës së Kosovës në Austri.
Në kuadër të Javës së Kulturës, janë organizuar një varg manifestimesh kulturore, të cilat janë përcjell nga një numër i konsiderueshëm diplomatësh, artistësh austriakë, miq të Kosovës dhe bashkatdhetarë, ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Jashtme.
Aktiviteti i parë ishte hapja e ekspozitës se piktorit, poetit dhe krijuesit kosovar, Sylë Mujaj.
Në fjalën e hapjes, Ambasadori i Kosovës në Austri, Sabri Kiqmari, ka thënë se qëllimi i kësaj Jave është përcjellja për opinionin publik austriak dhe rrethet e diplomatëve të vendeve tjera vlerat kulturore të Kosovës.
Lidhur me ekspozitën e piktorit Mujaj, Ambasadori i Kosovës në Austri ka thënë se ai i përket gjeneratës së studentëve kosovarë të vitit 1981, të cilët nuk u pajtuan me njëmendësinë e regjimit serb dhe i rezistuan censurimit të fjalës së lirë.
Në këtë manifestim morën pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, Nagip Skënderi, Zëvendës-Konsulli i Kosovës në Cyrih, Salih Sefa, përfaqësues të Qeverisë së Vjenës si dhe një numër i madh i intelektualëve dhe aktivistëve tanë në diasporë.
Piktori i njohur zviceran Pierre du Pasquier ka thënë se e ka njohur Sylë Muja në Lugano dhe se ai është një artist i shkëlqyeshëm. “Vlera e tij artistike është shumë e madhe”, ka thënë du Pasquier.
Mbrëmja letrare me Rexhep Qosjen ka mbledhur një numër të konsiderueshëm intelektualësh nga Kosova dhe Austria, në mesin e të cilëve edhe Ambasadori Albert Rohan. Mysafir nderi dhe panelistë ishin edhe Kryetarja e Shoqatës së Shkrimtarëve të Austrisë, Sidonia Binder si dhe kritiku letrar nga Kosova, Agim Vinca, thuhet në njoftim.
Në kumtesën e tij kritiku Agim Vinca, ndër të tjera nënvizoi se Akademik Rexhep Qosja është një studiues serioz i letërsisë që shkroi vepra emblematike, duke e vlerësuar lart rolin e tij në etablimin e shkencës albanologjike në Kosovë.
Studenti dhe poeti i ri Alban Beqiraj lexoi para të pranishmëve pjesë të zgjedhura nga romani i Rexhep Qosjes ‘‘Vdekja më vjen prej syve të tille‘‘, vepër kjo e përkthyer edhe në gjuhën gjermane.
Kryetarja e Shoqatës së Shkrimtarëve të Austrisë, Sidonia Binder, përshkroi Rexhep Qosjen si një ndër romancierët më të mirë të Kosovës. Ajo tha se bashkëpunimi me Kosovën në fushën e letërsisë në të ardhmen do të jetë edhe më intensiv, duke iu përgjigjur pozitivisht ftesës për të vizituar Kosovën.
Akademik Rexhep Qosja foli për zhvillimin e letërsisë shqipe, duke potencuar faktin se letërsia shqipe ka pasur një zhvillim atipik.
Duke ju referuar të sotmes, Akademik Rexhep Qosja përmbylli adresimin e tij me fjalët ‘‘Kjo është kohë që nxit krijimin e veprave të mëdha‘‘.
Kurse, në një ndër pallatet me eminente në Vjenë, është mbajtur një Koncert i Muzikës Klasike me autorë shqiptarë dhe të huaj, në të cilin performuan pianistet e njohura kosovare Ardita Statovci dhe Lule Elezi, ndërsa me këngë nga opusi i gjerë i kompozitorëve të huaj dhe shqiptarë u paraqitën mexosopranoja Sanije Matoshi dhe tenori Faik Hondozi.
Koncerti u përcoll nga shumë mysafirë, në mesin e të cilëve edhe diplomatë të huaj, si Ambasadori i Kolumbisë, Ekuadorit, Shqipërisë, Estonisë, zv. Ambasadori i SHBA-së, si dhe përfaqësues të misioneve diplomatike të Sllovenisë, Turqisë, Republikës Dominikane, Kroacisë, Maqedonisë etj.
Java e Kulturës së Kosovës në Austri u mbyll të dielën me një koncert të muzikës popullore, i përgatitur nga Shkolla e Vallëzimit Shqip “Shota” në Zvicër dhe Shoqatat “12 Qershori” e “17 Shkurti” nga Austria. Koncerti është përcjellë nga një numër i konsiderueshëm pjesëmarrësish.
E-Diaspora
-
Haradinaj konfirmon kandidaturën e parë për deputet nga diaspora Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se struktura e partisë në diasporë është... -
Ekspozita personale “Gjurmët në Medalion” e Valbona Gashit hapet në Konsullatën e Kosovës në Gjenevë -
Krasniqi: Mijëra fletëvotime nga diaspora rrezikojnë të mos arrijnë në kohë në Kosovë -
Mbahen takimet poetike të Nëntorit në Lucern -
Seminar i KKAD me temën “Sfidat e gjuhës shqipe në diasporë”
Jeta në Austri
-
Piloti austriak bën ulje emergjente afër kufirit me Italinë Piloti austriak bën ulje emergjente në autostradën A2 në Karinthia pranë kufirit italian; nuk ka të... -
Influencerja e zhdukur austriake gjendet e vdekur, brenda një valixheje -
Me 23 nëntor mbahet në Vjenë “Turneu i Pavarësisë” -
Koncert festiv për ditën e Pavarësisë së Shqipërisë në Baden të Austrisë -
Vjenë
Orë letrare në Vjenë në shënim të Ditës së Flamurit









