Lajme

Energjia më e lirë ul çmimet e prodhimit në Gjermani

Kostot më të ulëta të energjisë kanë ndikuar ndjeshëm në rënien e çmimeve të prodhimit në Gjermani gjatë muajit maj, sipas të dhënave të publikuara të premten nga Zyra Federale e Statistikave (Destatis). Sipas raportit, çmimet e produkteve industriale ishin 1.2% më të ulëta krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më pare, shkruan DW, transmeton albinfo.ch.

Ky është muaji i tretë radhazi me ulje të çmimeve të prodhimit në Gjermani, me një trend që po bëhet gjithnjë e më i theksuar. Rënia u nxit kryesisht nga çmimet më të ulëta të energjisë, por gjithashtu edhe nga zbritjet në mallrat e ndërmjetme.

“Në maj 2025, çmimet më të ulëta të energjisë ishin arsyeja kryesore për rënien vjetore të çmimeve të prodhimit,” thuhet në deklaratën e Destatis.

Konkretisht, kostot e energjisë ranë me 6.7% krahasuar me majin e vitit të kaluar, një përmirësim prej 0.9% krahasuar me prillin. Çmimi i gazit natyror shënoi një rënie prej 7.1%, ndërsa energji elektrike pati një ulje edhe më të theksuar – 8.1% për të gjitha kategoritë e konsumatorëve, transmeton albinfo.ch.

Zhvillimet pozitive në këtë drejtim pritet të ndikojnë edhe në stabilitetin e inflacionit industrial dhe mund të kenë një efekt zinxhir edhe në çmimet me pakicë në muajt e ardhshëm.

Ekspertët e ekonomisë theksojnë se kjo tendencë, nëse vazhdon, mund të ndihmojë në zbutjen e presioneve ekonomike ndaj bizneseve dhe konsumatorëve, veçanërisht në një klimë ende të pasigurt për energjinë dhe çmimet globale, transmeton albinfo.ch.