Lajme

Ekzekutivi i Cyrihut “rrëshqet” tutje në të majtë

Tani, 7 anëtarë të qeverisë së Cyrihut janë të majtë dhe vetëm dy, të djathtë

Rezultatet e zjedhjeve për ekzekutivin dhe parlamentin e qytetit të Cyrihut më në fund janë bërë publike. Kishte një vonesë disaorëshe deri në publikimin e tyre.

Sidoqoftë, ajo që tregojnë këto rezultate është se e majta (Partia Socialdemokrate, Të Gjelbrit dhe AL) ka shënuar një rritje në krahasim me zgjedhjet e kaluara. Kjo vlen sidomos për faktin se një politikan i gjelbër, Balthasar Glättli, ka fituar vendin e lënë bosh nga e djathta, FDP, për mbrojtjen e të cilit garonte Përparim Avdili.

Tani, 7 anëtarë të qeverisë së Cyrihut janë të majtë dhe vetëm dy, të djathtë.

Nga ana tjetër, edhe pse në garën për kryebashkiak kandidati socialdemokrat Raphael Golta arriti fitore bindëse në krahasim me të tjerët, kjo nuk i mjaftoi për tu zgjedhur kryetar në raundin e parë. Golta nuk arriti shumicën absolute që është kusht për të fituar garën.

Prandaj, do të ketë një raund të dytë votimi në të cilin kërkohet vetëm një shumicë relative. Kushdo që merr më shumë vota, fiton.

Raundi i dytë i votimit do të zhvillohet më 10 maj 2026.

Krahas votimit për kryebashkiak është votuar edhe Këshilli Bashkiak, ekzekutivi i qytetit. Pas numërimit të të gjitha votave, ai ka këtë përbërje: Raphael Golta (Partia Socialdemokrate) – në detyrë; Daniel Leupi (Partia e Gjelbër) – në detyrë; Céline Widmer (Partia Socialdemokrate) – anëtare e re; Simone Brander (Partia Socialdemokrate) – në detyrë; Karin Rykart (Partia e Gjelbër) – anëtare e re; Tobias Langenegger (Partia Socialdemokrate) – anëtar i ri; Balthasar Glättli (Partia e Gjelbër) – anëtar i ri; Michael Baumer (Partia Liberale) – në detyrë dhe Andreas Hauri (Partia e Gjelbër Liberale) – në detyrë.