Lajme
Ekspozitë e shekujve shqiptarë
Në Prishtinë është hapur një ekspozitë e veçantë “Si i shihte Londra Ballkanin, Kosovën dhe Shqipërinë 100 vjet më parë”
Me rastin e shënimit të pesë vjetorit të pavarësisë së Kosovës si dhe në kuadër të shënimit të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, të enjten në Prishtinë është hapur një ekspozitë e veçantë: “Si e shihte Londra Ballkanin, Kosovën dhe Shqipërinë 100 vjet më parë?”.
Kjo ekspozitë, e organizuar nga Qendra për Studime Shqiptare nga Londra, MPJ e Kosovës dhe MPJ e Shqipërisë, përmban piktura, dokumente, harta, fotografi, shkrime dhe karikatura nga arkivat britanike, një pjesë e të cilave janë prezantuar për herë të parë para publikut.
Ekspozita në rrafshin kohor, ofron pamje, imazhe dhe përmbajtje që nga shekulli 17, 18, 19 dhe veçanërisht shekulli 20, duke e përshkruar fatin dhe pozitën e shqiptarëve në Ballkan, por mbi të gjitha duke e pasur në fokus themelimin e shtetit shqiptar, formimin e shtetit shqiptar, luftërat ballkanike.
“Kjo ekspozitë tregon se ku kemi qenë ne para 100 vjetësh, para 200 vjetësh, para 300 vjetësh, se sa rrugë të gjatë kemi bërë që sot në shkurtin e vitit 2013 ta kemi shtetin Kosovës si shtet sovran dhe të pavarur…i cili i reflekton aspiratat që ka pasur populli i Kosovës, populli i Shqipërisë gjatë këtyre shekujve”, tha ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.
Britania e Madhe së bashku me Austro-Hungarinë, sipas tij, kanë qenë dy shtetet vendimtare që kanë mundësuar krijimin e shtetit shqiptar në fillim të shekullit 20.
“Britania e Madhe së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë dy fuqitë më vendimtare që kanë kontribuar edhe për lirinë e Kosovës, por edhe formimin e shtetit të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran”, tha ministri Hoxhaj.
Myrna McGreggor, nga Ambasadës së Britanisë së Madhe në Prishtinë tha se shteti i saj dhe shqiptarët kanë një histori të gjatë dhe tejet interesante. “Politika britanike drejt shqiptarëve ka qenë e fokusuar me siguri dhe stabilitet në rajon”, tha McGreggor.
Ndërkaq, ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, Islam Lauka tha se hapja e kësaj ekspozite bëhet në një moment jubilar, në kuadër të 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe të 5-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
“Dua t’i falënderoj nga zemra ata që e përgatiten këtë ekspozitë, zotin Maliqi dhe në mënyrë të veçantë zotin Destani për rolin dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm në krye të Qendrës së Studimeve Shqiptare në Britani”, tha ndërkaq Lauka.
Në anën tjetër, Shkëlzen Maliqi, kurator i ekspozitës vlerësoi lartë materialet e sjella nga Bejtullah Destani nga Qendra për Studime Shqiptare në Londër.
“Është një koleksion shumë i çmueshëm. Për njëzet e sa vjet ai ka mbledhur ndoshta dhjetë mijë e më shumë dokumente, fotografi, libra që kanë të bëjnë me çështjen shqiptare dhe Ballkanin”, tha Maliqi.
Bejtullah Destani nga Qendra për Studime Shqiptare nga Londra tha se viteve të fundit është koncentruar të sjellë disa imazhe të cilat janë të natyrës historike, hartografike, arsimore dhe karikaturave të ndryshme të cilat pasqyrojnë historinë e Shqipërisë.
Ai ka veçuar tre dokumente shumë interesante, dokumentin e aktit të besës, i nënshkruar nga shumë fise të veriut të Shqipërisë, i organizuar nga gjeneral Philips, dokumentin e shekullit 16 ku tregon që mbreti Henri VIII ka veshur kostum shqiptar dhe dokumentin e Komitetit të Korfuzit të vitit 1883, i organizuar nga Francesco Crispi, një arbresh në anën tjetër të Adriatikut.
Ekspozita “Si i shihte Londra Ballkanin, Kosovën dhe Shqipërinë 100 vjet më parë?”, do të jetë e hapur deri më 1 mars 2013, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës në Prishtinë.
E-Diaspora
-
Një buqetë dritash, tingujsh e ngjyrash për Ditën e Flamurit, në Winterthur Manifestimi në Winterthur, i organizuar nga Ansambli “Trojet”, krahas muzikës pati si vlerë të shtuar edhe... -
Haradinaj konfirmon kandidaturën e parë për deputet nga diaspora -
Ekspozita personale “Gjurmët në Medalion” e Valbona Gashit hapet në Konsullatën e Kosovës në Gjenevë -
Krasniqi: Mijëra fletëvotime nga diaspora rrezikojnë të mos arrijnë në kohë në Kosovë -
Mbahen takimet poetike të Nëntorit në Lucern
Jeta në Austri
-
“Varg e Vi” me projekt në Vjenë Organizata e Pavarur Kulturore, “Varg e Vi”, në lokalin alternativ për aktivitete kulturore, “7stern”, në Vjenë... -
Policia bastisë shtëpinë e 46 vjeçarit në Austri, zbuluan simbole naziste -
Piloti austriak bën ulje emergjente afër kufirit me Italinë -
Influencerja e zhdukur austriake gjendet e vdekur, brenda një valixheje -
Me 23 nëntor mbahet në Vjenë “Turneu i Pavarësisë”










