Jeta në Zvicër

Edhe punëdhënësit kundër iniciativës së “migracionit masiv”

Bashkësia e Punëdhënësve të Zvicrës kundërshtimin e saj ndaj iniciativës në fjalë e argumenton me një studim të bërë enkas për këtë rast

Pas Bashkësisë së Bujqve të Zvicrës, edhe një organizatë tjetër e rëndësishme është deklaruar në kundërshtim me iniciativën e SVP/UDC-së “kundër migracionit masiv”. Fjala është për Bashkësinë e Punëdhënësve të Zvicrës, e cila kundërshtimin e saj ndaj iniciativës në fjalë e argumenton me një studim të bërë enkas për këtë rast.

Studimi i punuar nga Universiteti i Bazelit ka dëshmuar se marrëveshja për lëvizje të lirë që Zvicra e ka nënshkruar dhe e zbaton prej vitesh me BE-në paraqet një sukses të madh nga këndvështrimi ekonomik.

Për këtë arsye, vënia në lojë e këtij suksesi nuk do të guxonte të ndodhë, sqaron Bashkësia e Punëdhënësve. Së paku alternativat që ofron SVP/UDC nuk janë të përshtatshme për tu ndjekur.  

Siç dihet, iniciativa synon që migracionin sipas saj të madh duhet rregulluar me kontingjente dhe përcaktimin e numrit maksimal të të huajve. Për të realizuar këtë, iniciativa parasheh edhe negocimin e marrëveshjes për lëvizje të lirë në mes të BE-së dhe Zvicrës.