Lajme

E vetme, me valixhen plot ëndrra, Fjolla ja doli

“U nisa krejtësisht vetëm, me një valixhe dhe shumë ëndrra. Ishte një ndjenjë e përzier midis frikës dhe entuziazmit, por e dija se ky ishte hapi që duhej ta bëja për të ndërtuar të ardhmen që dëshiroja.

Fjolla është një vajzë e thjeshtë, e çiltër, pozitive dhe shumë e dashur. E lindur dhe rritur në Prishtinë, Fjolla Gashi që në moshë shumë të re u dallua për përkushtim ndaj dijes dhe shkollës. Rrugëtimi i saj nisi në shkollën fillore ku punon ende sot nëna e saj, mësuese prej më shumë se 25 vjetësh. “Pikërisht duke parë përkushtimin e saj, më lindi dashuria për shkollën dhe dëshira për të mësuar”, tregon Fjolla, e cila qysh në fëmijëri kishte shfaqur prirje të forta arsimim.

Pas përfundimit të shkollës së mesme në gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë, ajo vazhdoi studimet “Bachelor” në drejtimin e Infermierisë në kolegjin “Heimerer”. Paralelisht ndoqi edhe një kurs intensiv të gjuhës gjermane në Institutin “Goethe”, duke përgatitur kështu terrenin për një hap të madh jetësor dhe akademik.

Në mesin e studimeve, Fjolla vendosi të sfidonte veten më tej duke aplikuar për studime në Universitetin e Bazelit në Zvicër, një prej institucioneve më prestigjioze në Evropë. Pasi arriti nivelin C1 të gjermanishtes, ajo u pranua në drejtimin “Ekonomi dhe Biznes”, duke u nisur nga Prishtina për në Bazel vetëm dy muaj pasi i mbushi 18 vjet.

“U nisa krejtësisht vetëm, me një valixhe dhe shumë ëndrra. Ishte një ndjenjë përzier midis frikës dhe entuziazmit, por e dija se ky ishte hapi që duhej ta bëja për të ndërtuar të ardhmen që dëshiroja,” kujton ajo me emocion.

Me vizë studentore dhe me vendosmërinë për të ndërtuar karrierën e saj akademike jashtë vendit, Fjolla filloi një kapitull të ri, ndërsa familja e saj mbeti në Kosovë.

 

 

Zvicra, pikënisja e një rrugëtimi të ri akademik

Rrugëtimi i Fjollës në Zvicër nuk ka qenë i lehtë. Ajo kujton me sinqeritet se fillimet ishin sfiduese, sidomos për shkak të dialektit zviceran, i cili i tingëllonte si një “gjuhë e re”.

“E kisha mësuar vetëm gjermanishten standarde në Kosovë, por dialekti zviceran më dukej krejt ndryshe. Duhej ta mësoja nga fillimi, dhe kjo e bënte më të vështirë si gjetjen e një pune, ashtu edhe krijimin e shoqërisë së re,” rrëfen ajo për revisten albinfo.ch.

Megjithatë, me vendosmëri dhe përpjekje të vazhdueshme, Fjolla arriti ta përvetësonte gjuhën e përditshme dhe të ndërtonte miqësi të reja. “Studentët zviceranë janë më të rezervuar në fillim, por me kohë kupton se janë shumë të qëndrueshëm në miqësi. Sot kam miq me të cilët takohemi çdo javë,” tregon ajo me buzëqeshje.

Mes tjerash, një tjetër sfidë e fillimit ishte edhe përshtatja me ushqimin dhe ritmin e jetës. Ajo pranon me nostalgji se në muajt e parë i mungonin gatimet e nënës, por me kohë mësoi t’i gatuante vetë recetat tradicionale kosovare. “Tani i përgatis vetë flijat, sarma, bakllavatë, etj, por më pëlqejnë edhe specialitetet zvicerane si fondue dhe spätzli, që tashmë janë bërë pjesë e përditshmërisë sime,” shton ajo.

Ajo shprehet se dhe rrugëtimi akademik kërkoi shumë përkushtim. Viti i parë në Universitetin e Bazelit për të ishte sfidues, sidomos për shkak të terminologjisë ekonomike.

Krahas studimeve, Fjolla punoi vazhdimisht në punë studentore, në furra, restorante dhe dyqane, për të mbuluar shpenzimet e jetesës. Pandemia e bëri procesin edhe më të vështirë, duke mbyllur auditorët dhe bibliotekat, por ajo e ktheu atë periudhë në një mundësi. “Ishte periudhë e vështirë, por më mësoi shumë për vetëdisiplinën dhe më ndihmoi të krijoj miqësi të forta dhe të qëndrueshme,” thotë ajo.

Një tjetër aspekt që e bën rrugëtimin e Fjolla Gashit veçanërisht të dallueshëm është fakti se brenda një periudhe gati shtatëvjeçare ajo ka arritur të diplomohet tri herë. Pas nisjes së studimeve në Kolegjin Heimerer në Prishtinë, ku përfundoi Bachelorin në Infermieri të Përgjithshme (2017–2022), Fjolla migroi në Zvicër në janar të vitit 2019, duke vazhduar paralelisht zhvillimin e saj akademik në dy universitete. Në Universitetin e Bazelit ajo përfundoi fillimisht Bachelorin në Ekonomi dhe Biznes (2019–2023), ndërsa së fundmi kurorëzoi këtë rrugëtim me diplomimin në nivel Master of Science në Ekonomi dhe Biznes (2023–2025). Të tri këto diploma janë përfunduar gjatë periudhës së qëndrimit të saj në Zvicër, duke dëshmuar përkushtimin, disiplinën dhe ambicien e saj të vazhdueshme akademike.

“Emocionet ishin të papërshkrueshme. Të kisha familjen pranë, prindërit, motrën dhe vëllezërit e mi në atë ditë, ishte një ndjenjë mirënjohjeje dhe krenarie që nuk harrohet,” rrëfen ajo me emocion.

 

 

Karriera profesionale e Fjollës në Zvicër

Që nga viti 2022, Fjolla Gashi ka nisur të ndërtojë karrierën e saj në sektorin financiar në Zvicër. Ajo punon në kompaninë BDO AG në Bazel, një nga firmat më të mëdha të shërbimeve financiare në vend, me rreth 1800 punonjës dhe 42 zyra në të gjithë Zvicrën.

“Fillimisht punoja me gjysmë orari gjatë përfundimit të “Bachelorit”, dhe më pas, gjatë studimeve të Masterit, kam punuar me orar të plotë. Që nga fundi i vitit 2023 jam ngritur në detyrë dhe tani jam menaxhere e klientave për shërbime të ndryshme si kontabilitet, personel, taksa dhe mbyllje të ndryshme financiare,” tregon ajo tutje për revisten Albinfo.ch.

Por kjo nuk është e tëra!

Fjolla ka edhe plane për të dhënë kontributin e saj në Kosovë, në vendlindjen e saj.                                    “Do të vazhdoj të punoj në Zvicër, pasi kam investuar shumë për të arritur këtu. Por në të ardhmen dua të angazhohem në projekte filantropike për Kosovën, për të ndihmuar njerëzit në nevojë, të moshuarit, gratë dhe fëmijët jetimë,” thotë ajo.

 

 

“Kosovën e dua më shumë se çdo vend tjetër”

Lidhja me vendin e lindjes mbetet e fortë, dhe vizitat janë një pjesë e pandashme e jetës së saj.

“Gjithë familja ime jeton në Kosovë, dhe mundohem t’i vizitoj sa më shpesh të mundem. Gjatë studimeve kthehesha sa herë që kisha pushime, ndërsa tani është bërë më e lehtë falë liberalizimit të vizave, që u mundëson edhe familjarëve të më vizitojnë më shpesh në Zvicër. Tashmë po e shijojmë vërtet këtë mundësi të dyanshme për t’u parë më shpesh dhe për të kaluar kohë së bashku,” përfundon ajo mes emocioneve.