Kosova

E pranon Abdixhiku: Gabuam kur e rrëzuam Qeverinë ‘Kurti 1’

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se ka qenë gabim strategjik rrëzimi i Qeverisë Kurti gjatë pandemisë.

Lumir Abdixhiku në T7 ka thënë se qëndron mbrapa bindjeve të tij se rrëzimi i qeverisë së Albin Kurtit në kohën e pandemisë ka qenë gabim strategjik.

“Nuk kishte nevojë për të rrëzuar qeverinë (Kurti), por ishte gjendja emergjente për shkak të pandemisë. Megjithatë qytetarët nuk e falën këtë dhe ky rezultat është përkthyer më 14 shkurt”, ka thënë Abdixhiku, duke folur rreth arsyeve që çuan te rënia e madhe e LDK-së, përcjell Albinfo.ch.

Tutje ai ka thënë se në dy muajt e parë pas rrëzimit të qeverisë Kurti, mbështetja për LDK-në ka rënë dukshëm.

Abdixhiku mori besimin e shumicës së delegatëve në Kuvendin zgjedhor të LDK-së më 14 mars për pasuesin e Isa Mustafës, i cili dha dorëheqje për shkak të debaklit në zgjedhjet e 14 shkurtit.