Integrimi

Dy lojë pa fitore, por të kënaqur me pjesëmarrjen e tyre

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

Gjilanasit as në lojën e dytë nuk korrën sukses në fushën e blertë kundër U-17 të “FC St.Gallen”, e cila u mbajt  të premtën mbrëma në stadiumin AFG Arena, në qytetin e St. Gallen.

Kosovarët humbën me rezultat 0:5 ndaj zviceranëve. Me gjithë përkushtimin dhe angazhimin në fushë si të lojtarëve dhe trajnerit të tyre, Halil Halili i cili vazhdimisht kërkonte më të duhurën gjatë këtij takimi, ata u ndanë të kënaqur me pjesëmarrjen e pavarësisht rezultatit ishte një atmosferë e ngrohtë sportive.

Në mesin e qindra shikuesve që ndoqën këtë ndeshje, prezent ishin edhe njerëzit e sportit shqiptarë këtu ne Zvicër, të cilët gjithashtu u ndanë të kënaqur me bashkëatdhetarët e tyre që u paraqitën në fushë.

Menjëherë në minutën e dymbëdhjetë, kur edhe morën golin e parë U-17 të Gjilanit, ndryshoi edhe përbërja e lojtarëve në fushë, me qëllim që të gjindej adekuatja e kundërshtarëve, por një gjë e tillë nuk i ndihmoi lojtarët kosovarë, ngase sipas tyre gjithçka që ndodhi ishte edhe si pasojë e kushteve ndryshe nga ato që i kanë në Gjilan.

Mesfushori gjilanas, Mirlind Daku për albinfo.ch tha se kjo ishte një përvojë e mirë për ta por edhe e vështirë.

“Kushtet të cilat i kemi ne atje në krahasim me kundërshtarët që i patëm sonte dallojnë jashtëzakonisht shumë, ndërsa me rezultatin jam shumë i dëshpëruar sepse e di që kemi mundur edhe më shumë dhe duhet të punojmë më shumë”.

Ai gjithashtu shtoi se në lojën e radhës që do të zhvillohet në qytetin e Bernit kundër U-17 të “Young Boys”, të shtunën me fillim në ora 16:00, pret një lojë të mirë dhe një sukses të kënaqshëm për ekipin e tij.

Nga ana tjetër, trajneri i skuadrës kosovare të qytetit të Gjilanit, Halil Halili krahasoi lojën e parë kundër Will-it që u mbajt të mërkurën, me të dytën e tha se në këtë mbrëmje është ndarë me i kënaqur me punën e lojtarëve të tij në fushë.

“Në krahasim me takimin e kaluar ne jemi më të kënaqur sepse djemtë kanë filluar ta njohin fushën evropiane ngase ju e dini se si janë fushat tona atje, mundësitë tona gjithashtu janë më të vogla në krahasim me Zvicrën. Jam i bindur që gradualisht kanë me qenë më të mirë e gjithashtu do të komponohen më mirë me njëri tjetrin sepse edhe kushtet ta imponojnë lojën e mundësinë e një loje më të mirë”, tha Halili.

E rëndësishme sipas trajnerit është ardhja këtu në Zvicërr për të krijuar miqësi, e beson që në të ardhmen do të ec edhe më mirë bashkëpunimi i ndërsjellë.

Arnis Latifi, kapiteni i skuadrës ka shprehur besimin që e ka te bashkëlojtarët e tij dhe thotë se është ndjerë mirë kundër kësaj ndeshje.

“Po ndihem mirë sonte edhe pse kemi humbur. Ne fizikisht nuk i kemi kushtet e mira sepse dallimi edhe në madhësinë e fushës na ka ndikuar që të jemi më të papregatitur. Gjithashtu jam i kënaqur me bashkëlojtarët e mi edhe pse e di që ne mundemi të japim edhe më shumë e pres që në lojën e radhës kundër U-17 të “Young Boys” në Bern të korrim fitore”.

Lojtarët kosovarë patën raste të mira për të shënuar por topi përfundonte jashtë portës. Gjithashtu kishte edhe lëndime por e gjitha kaloi pa kartona ndëshkues.

“Në lojën e radhës do të kisha pritur më shumë nga ekipi im por sonte na kanë ardhur lëndime dhe duhet të kemi kujdes dhe do të angazhohemi që secili të japim maksimumin e duhur”, shtoi në fund trajneri Halil Halili.

Kurse Brunello Iacopetta, përzgjedhësi i U-17 të klubit “St. Gallen”, tha se këta që i ka parë sonte kanë një potencial të mirë dhe të fortë.

“Nuk jam shumë i informuar se çfarë kushte të trajnimit kanë këta atje në Kosove dhe sa herë e bëjnë këtë punë gjatë javës. Grupi im që ishte prezent sonte është i ri dhe kjo është java e parë që unë punoj me ta e normal është shumë e vështirë që ta vlerësoj, por globalisht është mundësi e madhe që këtyre djemve t`ju japim mundësi të punojnë edhe më shumë në të ardhmen. Vitin e kaluar kemi pasur një sezonë të mirë ngase kemi marrë vendin e tretë në U-17, e për këtë sezonë duhet të shikojmë se si po na rrjedhin punët”, tha trajneri i U-17  “FC St. Gallen”.

Ai ka shtuar se si trajner futbolli është mirë që para secilës ndeshje të jesh i pranishëm edhe te lojërat e kundërshtarëve.

“Lojën e kaluar që e kishin me Will-in kam qenë atje dhe i kam shikuar, kam nxjerrë detaje të mira për këtë ndeshje dhe kjo ka ishte pregatitja ime parimore që e kam bërë me djemtë për këtë ndeshje, më shumë nuk kam bërë”, tha në fund Brunello Iacopetta.

Pas kësaj ndeshje, lojtarët i priti një darkë e organizua nga presidenti i klubit “FC Besa SG”, Muhamet Krasniqi. Ai tha se kohë më parë kanë biseduar me sponzorët që e përkrahin klubin që ai drejton dhe janë marrë vesh që pas lojës të kalojnë kohën së bashku me talentët e futbollit kosovar.

“Pas kësaj loje për mysafirët nga Kosova kemi organizuar një darkë në kafiterinë “Dior”, pasi që edhe pronari është nga ana e qytetit të Gjilanit, kemi dashur që të jemi më afër tyre e së bashku do t`i heqim shpenzimet e darkës për kënaqësinë tonë dhe të bashkëatdhetarëve tanë që kanë marrë rrugën nga Kosova të vijnë këtu në Zvicër”, tha presidenti i “FC Besa SG”, Muhamet Krasniqi.

Në ndeshjen e radhës kundër U-17 të “Young Boys” të Bernit, që do të mbahet të shtunën me fillim nga ora 16:00, është ndeshja e tretë e djemve të Halil Halilit për të vazhduar të dielën me lojën përmbyllëse kundër U-17 të Cyrihut e cila do të nisë gjithashtu në ora 16:00.

Albinfo.ch i uron këta talent një fitore të radhës dhe shpreson që kjo të mos jetë vizita e fundit e tyre në fushat evropiane.