Lajme

Drejtori i “Ryanair” alarmohet për dronët rusë mbi aeroportet: Nuk kam besim tek liderët evropianë 

Michael O’Leary, drejtori ekzekutiv i kompanisë ajrore “Ryanair”, ka kritikuar Bashkimin Evropian për mosveprimin ndaj dronëve që fluturojnë pranë aeroporteve. Ai ka kërkuar që këta dronë të neutralizohen menjëherë për të parandaluar rreziqet në trafikun ajror.

“Pse nuk po i rrëzojmë këta dronë?” tha O’Leary në një intervistë për Politico, duke iu referuar incidenteve të fundit në aeroportet evropiane, përfshirë edhe rastin e Kopenhagenit.

Ai theksoi se vetëm tri javë më parë dronët shkaktuan ndërprerjen e fluturimeve në disa aeroporte polake për katër orë, ndërsa javën e kaluar disa aeroporte daneze u pezulluan për rreth dy orë. Situata, sipas tij, është shumë shqetësuese dhe kërkon veprime të menjëhershme.

Megjithatë, O’Leary vuri në dukje se ngritja e një “muri mbrojtës kundër dronëve” nuk do të jetë zgjidhje, duke argumentuar se dronët mund të lëshohen nga brenda Polonisë.

“Nuk kam besim tek liderët evropianë që ulen të pinë çaj dhe të hanë biskota. Nëse nuk arrijnë të mbrojnë fluturimet mbi Francë, si mund të mendojmë se do të na mbrojnë nga Rusia?” tha ai.

Drejtori i “Ryanair” nuk la pa kritikuar edhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke e cilësuar të paaftë dhe duke sugjeruar dorëheqjen e saj.