Integrimi
Dr. Leutrim Hajdari: Nga Prishtina në Bernë, një rrugë me sfida dhe arritje
Nga sallat e Qendrës Emergjente në Prishtinë deri te spitalet moderne të Zvicrës, ai ka kaluar një udhëtim të gjatë, me sfida por dhe mundësi të reja
Të lësh vendin ku je shkolluar, familjen dhe miqtë, për të filluar nga e para në një shtet tjetër, nuk është asnjëherë e lehtë. Por për Dr. Leutrim Hajdarin, ky ishte një hap i domosdoshëm në rrugën e tij profesionale. Nga sallat e Qendrës Emergjente në Prishtinë deri te spitalet moderne të Zvicrës, ai ka kaluar një udhëtim të gjatë, me sfida të shumta dhe mundësi të reja.
Gjithçka nisi me gjuhën. Pas përfundimit të kursit të gjermanishtes dhe licencimit në nivelin B2, Leutrimi u regjistrua në Odën e Mjekëve të Zvicrës (MEBEKO), e më pas gjeti rrugën drejt një spitali zviceran. “Motivi im kryesor ka qenë cilësia e sistemit shëndetësor këtu, i cili të jep mundësi të rritesh profesionalisht”, tregon ai.
Para se të shkonte në Zvicër, Dr. Hajdari kishte punuar për tri vite e gjysmë si specializant në Qendrën Emergjente pranë QKUK-së. Ai ishte edhe mjek i ekipit të futbollit të Prishtinës dhe pjesë e stafit mjekësor gjatë ndeshjeve të ekipeve zinxhir të Kosovës. Përvoja e tij përfshin edhe punën në klinikën Echo-scan në Prishtinë, si dhe angazhimin në kontrollet mjekësore për refugjatët afganë të strehuar në Kosovë.
Sfidat në Zvicër
Sipas tij, përshtatja në sistemin shëndetësor zviceran nuk ishte e lehtë.
“Forma e punës dhe mënyra e dokumentimit ishin sfiduese, por me kohë vështirësitë u zvogëluan. Dallimi më i madh është dokumentimi i detajuar dhe zbatimi i guidelines më të fundit në trajtimin mjekësor. Në Kosovë, një sfidë e madhe mbetet mungesa e një sistemi elektronik për të dhënat e pacientëve, që do ta lehtësonte punën e mjekut”, thekson ai.
Përparësitë profesionale
Punësimi në Zvicër, sipas Dr. Hajdarit, i ofron mundësi unike: “Është privilegj të jesh pjesë e një sistemi shëndetësor të avancuar, ku ke qasje në zhvillimet më të fundit shkencore dhe mund t’i implementosh ato në praktikë”.
Lidhjet me mjekët shqiptarë
Për Lidhjen e Mjekëve Shqiptarë në Zvicër, Dr. Hajdari kishte dëgjuar vetëm pas disa muajve qëndrimi këtu. Procedurat e para i kishte kaluar individualisht, me ndihmën e shoqërisë.
“Mendoj se bashkëpunimi mes mjekëve shqiptarë në Zvicër duhet të forcohet. Aktualisht, ai ekziston më shumë në baza individuale, ndërsa një kornizë zyrtare mes Odës së Mjekëve të Kosovës dhe Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër do të ishte shumë e dobishme”, shpjegon ai.
Pritja dhe bashkëpunimi
Komuniteti i mjekëve shqiptarë e ka pritur ngrohtësisht Dr. Hajdarin. “Shumë prej tyre janë kolegë me të cilët kemi studiuar në Prishtinë, ndaj pritja ka qenë shumë miqësore”, tregon ai.
“Nga ajo që di unë, dhe nga kolegët me të cilët kam studiuar së bashku, mund të them se rreth 90% e tyre kanë ndjekur të njëjtën rrugë si unë”, thotë Dr. Hajdari.
“Rrugën që kam ndjekur unë e kanë ndjekur edhe mbi 50 mjekë nga Kosova, në periudhën nga viti 2018 e deri më sot. Duhet të theksoj se të gjithë ata që i njoh, kanë ardhur në mënyrë individuale, me të vetmen mbështetje nga kolegët që i kishin njohur paraprakisht gjatë studimeve.”
Ai shton se bashkëpunimi mes mjekëve shqiptarë në Zvicër është i domosdoshëm:
“Do të duhej të kishte një lidhje më të fortë bashkëpunimi mes nesh. Personalisht mendoj se kjo është e nevojshme, por jam disi skeptik sa i përket mundësisë për ta realizuar plotësisht”.
Sa u përket marrëdhënieve me Kosovën, Dr. Hajdari thekson: “Sipas informacioneve që kam, bashkëpunimi mes mjekëve shqiptarë në Zvicër dhe atyre në Kosovë ekziston vetëm në baza individuale. Nuk jam i sigurt nëse ka një formë zyrtare bashkëpunimi mes Odës së Mjekëve të Kosovës dhe Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër”.
Ai propozon që kongreset dhe workshop-et e përbashkëta në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup të organizohen të paktën dy herë në vit. “Kjo është mënyra më e mirë për të ndarë përvoja, për të krijuar kontakte të reja dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërkolegial”.
Këshilla për të rinjtë
“Këshilla ime për mjekët e rinj është të mos dorëzohen. Rruga është e gjatë dhe me sfida të shumta, por nuk duhet të ndalen. Gjithashtu, duhet ta kemi gjithmonë në mendje vendin ku u shkolluam dhe të kontribuojmë për të”, thekson Dr. Hajdari.
Vizioni për të ardhmen
Ai planifikon të vazhdojë dhe të përfundojë specializimin në Bernë ose ndonjë qytet tjetër të Zvicrës, duke kërkuar gjithmonë mënyra për t’i ndihmuar Kosovës. “Gjatë këtij viti e gjysmë në Zvicër, kam takuar shumë të rinj shqiptarë të suksesshëm. Mesazhi im është i qartë: vetëm përmes shkollimit dhe përkushtimit mund të ecim përpara – si individë dhe si komb”.
E-Diaspora
-
Vaud: Qeveria emëron Metihe Mehmetin, Drejtoreshë të Përgjithshme të Tatimeve Nga 1 marsi i vitit të ardhshëm, Metihe Mehmeti, 42 vjeçe, do të marrë detyrën e... -
KQZ i aprovon mbi 7000 pako me fletëvotime nga diaspora, i refuzon mbi 2500 tjera -
Brooklyn: Shqiptari nga Kosova humb jetën duke u përpjekur të ndalojë një grabitës -
Berlin
Shpresim Sadiku fiton titullin “Doktor Shkence” në TU Berlin -
KQZ nis vlerësimin e rreth 13 mijë votave të diasporës
Jeta në Austri
-
Vjenë
Orë letrare në Vjenë në shënim të Ditës së Flamurit Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu”, në kuadër të festës së 28... -
A do të punonit në Austri për 2200 euro? -
Vjena ul emetimet e CO₂ me gati 6% brenda një viti -
Vjenë
Hapen tregjet e Krishtlindjeve në Vjenë -
Rita Ora gati ta ndezë atmosferën në hapjen e sezonit dimëror në Austri














