Shkurt.ch

Dimri “befason” Zvicrën

Autostrada në pjesën afër portës së tunelit të Gotthard-it për mjete automobilistike është bllokuar për një kohë sot pasdite

Vetëm dy ditë më parë në pjesën më të madhe të Zvicrës mbretëronte një mot i butë dhe me temperatura (pran)verore rreth 18 gradë mbi zero. Ndërsa sot, me shira të pandërprerë të shoqëruar me erë të fortë, moti i ngjan tashmë dimrit, rreth një muaj e gjysmë para fillimit zyrtar të tij.

Temperaturat sot në shumë vende, në ultësira dhe qytete kanë zbritur në 2-3 gradë celsius ndërsa në male ka pasur edhe reshje bore.

Bora që ka rënë në Qafën e Gotghard-it ka bërë që në shumë rrugë lokale të ketë bllokime. Ndërsa edhe autostrada në pjesën në mes të lokalitetit Amsteg (Uri) dhe hyrjes në tunelin e Gotthard-it për mjete automobilistike është bllokuar për një kohë sot pasdite për të pastruar borën.  

Ndërkaq në Zvicrën jugore (Kantoni i Tesinës) që nga pasditja e të hënës kanë filluar reshje të pandërprera shiu që kanë sjellë sasi të madhe uji. Për shkak të shiut, në kantonin më jugor të vendit, gjegjësisht sa i perket liqenit Lago Maggiore, tashmë është vendosur shkalla numër 3 e emergjencës.