Lajme

Die Tageswoche: Në Kosovë, në këmbë ec vetëm populli!

“Rrugët duhet të jenë të lira, për makinat vezulluese të politikanëve, për xhipat e bardhë të ndërkombëtarëve. Këmbë, ec vetëm populli. Dhe thyen hundët” Javorja “Tageswoche” e Bazelit ka botuar një dosje me disa shkrime lidhur me Kosovën dhe kosovarët me qëndrim në Zvicër. Dosja është botuar pikërisht në ditën e pavarësisë së shtetit më […]

“Rrugët duhet të jenë të lira, për makinat vezulluese të politikanëve, për xhipat e bardhë të ndërkombëtarëve. Këmbë, ec vetëm populli. Dhe thyen hundët”

Javorja “Tageswoche” e Bazelit ka botuar një dosje me disa shkrime lidhur me Kosovën dhe kosovarët me qëndrim në Zvicër. Dosja është botuar pikërisht në ditën e pavarësisë së shtetit më të ri, më 17 shkurt 2012. Asaj i prin një shkrim, në të cilin, katër vjet pas ekzaltimit me pavarësinë, realiteti i Kosovës tregohet me ngjyra të zymta dhe me fare pak shpresë.

“Katër vjet pas pavarësimit, Kosova duhet të luftojë me problemet e vjetra: korrupsionin, apatinë, papunësinë…” fillon artikulli. Në një tabllo nga Prishtina me borë, gazeta merr fjalët e kalimtarëve, qytetarëve të thjeshtë, me të cilat përshkruan atmosferën e trishtë, që sipas tij, mbretëron në rrugët e Prishtinës.

“Po e mbulove me borë, edhe muti duket i bukur”, i thotë një taksist i mllefosur prishtinas, gazetarit zviceran, duke i uruar mirëseardhjen në Kosovën e mbuluar me borë rekorde.

“Ndërmarrjet për pastrim heqin borën nga rrugët dhe nuk dijnë çfarë të bëjnë tjetër, përveç që ta hedhin atë në trotoar. Rrugët duhet të jenë të lira, për makinat vezulluese të politikanëve, për xhipat kolosalë të bardhë të administratorëve ndërkombëtarë. Këmbë, ec vetëm populli. Dhe zë në thua e thyen hundët…. “

“Rreth 200 mijë kosovarë jetojnë në Zvicër dhe shumë prej tyre do të festojnë sot këtë ditë. Ndoshta zëshëm dhe me shumë gëzim. Ose ndoshta heshtur dhe me pak dhembje. Katër vite të Republikës së Kosovës – Urime ditëlindjen! Happy Birthday”, shkruan më tutje edhe në gjuhën shqipe urimin, gazeta.

Të rinj të shkolluar jashtë vendit që janë kthyer në Kosovë për të dhënë kontributin e tyre, të rinj tjerë që presin t`i marrë dikush për të punuar si argat dhe për t`i fituar 10 euro, nga të cilat, pasi të paguhet rruga dhe ushqimi mbeten vetëm 5 për të mbajtur familjen si dhe të rinj hippi, të veshur schick, që ashtu sikur në kryeqytete evropiane flasin për poezinë, filozofinë. Ky është realiteti i Prishtinës, i Kosovës, shtetit më të ri, me popullatën më të re në Evropë, thotë gazetari.

Pastaj vijnë “schatzi”-t, ose mërgimtarët nga vendet gjermanofone, të cilët siç i kanë treguar prishtinasit gazetarit zviceran, janë disi të veçantë, të egër e arrogantë, vishen çuditshëm dhe vijnë vetëm verës. Për gjërat e mira: pushimet, dasmat, ahengjet…” Por, gazetari vë re edhe një dozë xhelozie në gjithë këtë përçmim ndaj “schatz”-ave.

Në artikullin tjetër, tema e të cilit është ndihma e Zvicrës për Kosovën sheshohen ndihmat financiare që shteti me mbi 200 mijë kosovarë i ofron vendlindjes së qytetarëve të tij të rinj. “Një vend vuan dilemën: Pula apo veja”, mban titullin artikulli.

“Dy viteve të fundit, Zvicra ka dhënë nga 55 milionë franga në vit për projekte ndërtimi. Por, investime private pothuaj nuk ka, madje as nga diaspora kosovare në Zvicër. Vendi është tepër jostabil, kushtet për investime, jo sa duhet të mira. Me importimin e birrës kosovare në Zvicër. Rexhep Berisha është në mesin e pak kosovarëve, mërgimtarë në Zvicër që janë aktivë në Kosovë si ndërmarrës”.

“Ngurrimi i vetë kosovarëve të këtushëm për të investuar në Kosovë është madje më i madh se sa ai i zviceranëve”, thuhet në artikull. “Ata i njohin mirë rrethanat dhe e dijnë se nga çfarë baze duhet të nisen”, thotë Max Steiner, menaxher i Dhomës së Tregtisë Zvicër-Evropa Qendrore (SEC). Sipas tij, më shumë se problemi i imazhit, është problemi i jostabilitetit politik dhe i ndarjes së vendit, ai që mban larg investuesit. „Para se të stabilizohen rrethanat, nuk dëshiron të investojë askush – dhe e kundërta. Dilema klasike: pula apo veja“, thotë Steiner.

Nga jashtë, situata mund të përmirësohet vetëm përmes projekteve të ndihmës konkrete dhe para së gjithash përmes këmbimit të informatave. Kësaj të fundit i shërben edhe web projekti „albinfo.ch“. Platforma online që ekziston prej dy vitesh, e themeluar nga Bashkim Iseni dhe Vjosa Gërvalla, publikon lajme, hulumtime dhe funksionion si servis informacionesh në gjuhën gjermane, frënge dhe para së gjithash në gjuhën shqipe. Pensumi i saj (norma e përbashkët e punës së të punësuarve) prej rreth 200 për qind, mbështetet nga DEZA, me një fond që i afrohet shumës gjashtëshifrore“, shkruan „Tageswoche“.

Ndërsa, krahas fondeve të mbështetura nga Seco për themelimin e ndërmarrjeve të reja, ndihma e Zvicrës shihet më shumë në infrastrukturë, respektivisht në zgjerimin dhe përmirësimin e rrjeteve të ujësjellësit. “Falë investimeve zvicerane, brenda pak viteve përqindja e kosovarëve që nuk kanë qasje në ujësjellës ka rënë nga 50 në 25 për qind“.

Artikullshkruesi merret edhe me kritikat që një pjesë e spektrit politik zviceran i drejtonte Këshillit Federal dhe në veçanti ish presidentes Micheline Calmy Rey për „shpejtimin“ me njohjen e pavarësisë së Kosovës. Pastaj, preket edhe raporti i senatorit zviceran Dick Marty për trafik me organe etj. që, thuhet se u dha edhe më shumë argument kritikëve. Sipas tyre, me njohjen e hershme të shtetit të ri, Zvicra zyrtare po I “gradon” kriminelët e mundshëm të luftës dhe po i bën një shërbim të keq tejkalimit të të kaluarës në Kosovë”.