E-Diaspora
“Diaspora voton” edhe në Bahnhofstrasse të Cyrihut
Një numër të rinjsh dhe të rejash, kryesisht studentë shqiptarë aty kanë “zënë pritën” dhe presin e përcjellin të interesuarit për t`u regjistruar për pjesëmarrje në zgjedhjet e Kosovës që mbahen më 11 qershor
Në pikën shumë të frekuentuar të metropolit zviceran, Cyrihut, aty ku nis rruga më e njohur e qytetit dhe e Zvicrës “Bahnhofstrasse” nuk ke si ta anashkalosh një stendë: sidomos nëse je shqiptar! Një numër të rinjsh dhe të rejash, kryesisht studentë shqiptarë aty kanë “zënë pritën” dhe presin e përcjellin të interesuarit për t`u regjistruar për pjesëmarrje në zgjedhjet e Kosovës që mbahen më 11 qershor. Dhe, në rastet kur harta e Kosovës, si pjesë e logos së zgjedhjeve nuk bën punë, dikush nga këta të rinj del para kalimtarëve në këtë zonë këmbësorësh dhe tërheq vëmendjen duke mbajtur në duar mbishkrimin me pyetjen: “A jeni shqiptarë?”.
Albinfo.ch ka vizituar këtë stendë dhe ka regjistruar atmosferën që mbretëronte aty.
Ky grumbullim simpatik në qendër të Cyrihut është meritë e disa të rinjve që kanë ngritur shoqatën ad-hoc “Diaspora voton”. Qëndrim Smajli, Drilon Kastrati dhe shokë të tjerë, duke dashur të sensibilizojnë mërgatën me zgjedhjet e pritshme, kanë ndërmarrë iniciativën që rezultoi e frytshme. Pastaj, aksionit fillimisht apartiak i janë bashkuar edhe aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje. Siç thotë për albinfo.ch aktivistja e kësaj lëvizjeje, Njomëza Gutaj, ky aksion “na u duk interesant dhe nuk hezituam që të përkrahim iniciatorët e tij. Për ta “mbajtur në këmbë” një stendë të tillë gjatë gjithë ditës (nga ora 6 e mëngjesit deri në orën 20 të mbrëmjes) nevojitet një numër i konsiderueshëm vullnetarësh, prandaj u vumë në dispozicion këtij aksioni”, thotë znj. Gutaj, e cila edhe vetë është ndër më të angazhuarat rreth stendës. Por, aty nuk ka rëndësi më kush, çfarë orientimi politik ka.
Nga shoqata “Diaspora voton” na thanë se një aksion i ngjashëm do të zhvillohet edhe nesër, e dielë, në Glattbrugg të Cyrihut. Ndërsa VV ka sot dhe të dielën aksionet e saj edhe në disa qytete tjera të Zvicrës.
Të rinjtë, shumë të sensibilizuar me zgjedhjet
Në stendë e rreth saj mbretëron një atmosferë rinore, kryesisht pasi që si aktivistët ashtu edhe ata që vijnë të regjistrohen, shumica janë të rinj. Egzon Hoti dhe Edona Basha janë vetëm disa nga ata të rinj që erdhën këtu dhe i plotësuan formularët për regjistrim. Ndërsa qindra të tjerë kanë marrë formularët që t`i plotësojnë ata pastaj, në shtëpi thotë Gutaj.
Ndërsa njëri nga aktivistët shprehet shumë i kënaqur me interesimin e madh të të rinjve për të votuar.
Edhe pse sot është e shtunë, ditë pushimi, në Konsullatën e Kosovës në Cyrih ne takojmë konsullin, Islam Spahiun. Ai sot po kujdestaron për të pritur dhe këshilluar ata që duan të regjistrohen për të votuar. “Kemi vendosur që sot të vihemi në shërbim të të interesuarve për regjistrim, kryesisht duke u sqaruar ecurinë e regjistrimit”, thotë Spahiu për albinfo.ch.
Jetësisht të interesuar për përmirësimin e gjendjes në Kosovë
Ndërkohë aty vijnë njëri pas tjetrit disa mërgimtarë. I riu Ardian Morina, nga Rahoveci me djalin e tij të vogël ka ardhur për të bërë regjistrimin për votim. Ai ka mbaruar shkencat politike në Prishtinë dhe pak vite më parë ka ardhur për të jetuar në Zvicër. Ndërsa Sabedin Shabani nga Gjilani së bashku me djalin e tij, Albanin, kanë ardhur për t`u konsultuar për votim por njëherësh edhe për t`u interesuar se si mund të bëhet Albani qytetar i Kosovës. “Unë jam rritur këtu ndërsa i lindur jam në Dobrosin, komuna e Bujanocit”, thotë ai. Kështu që deri tash nuk kam dokumente kosovare edhe pse familja ka kaluar të jetojë në Gjilan që nga viti 1999”.
Si Sabedini e Albani, ashtu edhe Ali dhe Besim Miftari (babë e bir), po ashtu nga Gjilani, duan të regjistrohen për të votuar. “Ne jetojmë mirë në Zvicër por jemi jetësisht të interesuar që edhe në Kosovë, familjarët dhe bashkëkombësit tanë të kenë një jetë më dinjitoze. Për t`u arritur kjo, duhen ndryshime atje dhe hapi i parë i ndryshimit është vota”, shprehet Besimi për albinfo.ch.
Të gjithë ata që ia kishin mësyrë sot si Konsullatës së Kosovës ashtu dhe stendës në qendër të Cyrihut shprehin në preokupim: ndryshimin e situatës në Kosovë me votën e tyre. Kjo ide për ndryshime pozitive duket se në prag të zgjedhjeve të sivjetme është më e pjekur se më parë, shoqëria, edhe kjo në mërgatë, duket më e sensibilizuar në këtë drejtim. Këtë e tregon edhe atmosfera në pikat e informimit dhe regjistrimit në Cyrih për zgjedhjet e 11 qershorit.
Edhe ushtarët zviceranë interesohen për zgjedhje!
Gjatë qëndrimit në stendë, ndodhin edhe ngjarje interesante. Ja njëra prej tyre: “Një ushtar zviceran në orët e mëngjesit, kur sapo e kishim vendosur stendën erdhi e na pyeti se për çka bëhej fjalë. Pasi i treguam, ai iku. Por vetëm pak minuta më vonë vijnë dy ushtarë tjerë, kësaj radhe me prejardhje shqiptare dhe kërkojnë formularët për regjistrim. Kolegu i tyre, zvicerani që na kishte vizituar pak më parë, i kishte informuar ata per këtë mundësi”, tregojnë aktivistët.
E-Diaspora
-
Kjo është gjendja në pikëkalimet kufitare me Kosovën Si është gjendja në pikat kufitare për të hyrë në Kosovë?...
-
Dyseldorf: Ndahen mirënjohjet për nxënësit e mësimit plotësues të gjuhës shqipe
-
Liriona Morina, finaliste në mesin e avokatëve të rinj më të mirë të Evropës
-
Nxënësit shqiptarë nga Zvicra nisin Shkollen Verore “Jam Shqiptar”
-
Alban Dervishi, shqiptari që udhëheq një nga anijet më të fuqishme të SHBA-së
Jeta në Austri
-
Austri: 27% e të rinjve me prejardhje migrante braktisin herët shkollimin Në Austri, më shumë se 100,000 të rinj kanë përfunduar shkollimin e detyrueshëm në maksimum dhe...
-
Gjermania do të ndjekë shembullin e Austrisë dhe do të deportojë sirianët e dënuar
-
Banka Qendrore e Austrisë instalon bankomate për të kapërcyer hendekun rural të parave të gatshme
-
Tragjedi në Festival: Vdes një 22-vjeçar pas një incidenti sigurie
-
Universitetet austriake duan rregulla më të rrepta për pranimin e studentëve të huaj